SHBA vë veton ndaj rezolutës së OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë

Nju Jork, 20 shkurt 2024 – Shtetet e Bashkuara vuri veto ndaj një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës.

Kjo është hera e tretë që SHBA-ja e përdor veton që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Mbretëria e Bashkuar abstenoi, ndërsa 13 anëtarë të Këshillit të Sigurimit votuan në favor të tekstit të rezolutës së hartuar nga Algjeria, e cila u mbështet nga vendet arabe.

“Një votë në favor të kësaj projekt-rezolute është mbështetje për të drejtën e palestinezëve për jetë. Në të kundërt, votimi kundër saj nënkupton një miratim të dhunës brutale dhe dënimit kolektiv të shkaktuar ndaj tyre,” i tha këshillit ambasadori i Algjerisë në OKB, Amar Bendjama para votimit.

Ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se rezoluta do të “ndikonte negativisht” në negociatat që po zhvillohen për ndërprerjen e luftës dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Kërkimi i një armëpushimi të menjëhershëm pa kushte, pa një marrëveshje që kërkon që Hamasi të lirojë pengjet, nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme. Përkundrazi, mund të zgjasë luftimet midis Hamasit dhe Izraelit”, tha ajo.

Nga ana tjetër, SHBA ka propozuar një projekt-rezolutë tjetër që bën thirrje për një armëpushim të përkohshëm “sa më shpejt që të jetë e mundur”, lidhur me lirimin e të gjithë pengjeve dhe heqjen e barrierave për ndihmën humanitare për palestinezët.

(r.m.)