Uashington, 9 shtator 2022 – Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke përmendur mes këtyre aktiviteteve, sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se në korrik 2022, aktorët e sulmeve kibernetike, me mbështetje e qeverisë së Iranit dhe Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë, ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyruar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj.
“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun,” tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.
“Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë.”
Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet se që nga viti 2007 kjo ministri ka kryer operacione keqdashëse kibernetike që kanë vënë në shënjestër një numër organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike.
Si rezultat i përcaktimit të sotëm të Minisrisë dhe Ministrit, Esmail Khatibi të gjitha pronat dhe interesat në pronësi të tyre, që janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara bllokohen dhe amerikanëve u ndalohet të hyjnë në transaksione me ta.
Po ashtu, çdo biznes, që zotërohet në masën 50 për qind ose më shumë, nga personat apo entitetet e vëna nën saknsione, gjithashtu do të bllokohet.
Edhe personat jo amerikanë që angazhohen në transaksione të caktuara me këta persona mund të bëhen objekt sanksionesh dhe çdo institucion financiar i huaj që me vetëdije kryen ose lehtëson një transaksion të rëndësishëm për ose në emër të personave të caktuar, mund t’u nënshtrohet sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara.
(Zëri i Amerikës)