Podgoricë, 10 mars 2023 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi tha të premten se zgjidhja e ngërçit aktual politik dhe legjitimiteti i qeverisë së ardhshme në vend, duhet të bëhen përmes zgjedhjeve të hershme.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për çdo përpjekje për të formuar një qeveri të re në Mal të Zi, riorganizuar një qeveri që e ka humbur mandatin, apo shkurtuar mandatin e parlamentit në bazë të ligjit të amenduar për Presidentin”, thuhet në një postim të ambasadës në Twitter.
U.S. Embassy statement on developing political situation in Montenegro pic.twitter.com/Yxn8T8JZU8
— US Embassy Podgorica (@USEmbassyMNE) March 10, 2023
Qeveria e Malit të Zi e kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviç e humbi votëbesimin gushtin e vitit të kaluar dhe qeveria ka tani një mandat teknik.
Mediat malazeze kanë njoftuar se ka pasur negociata për riorganizimin e qeverisë aktuale të kryeministrit Abazoviç.
Pas rrëzimit të kësaj qeverie, Fronti Demokratik, partia më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila njihet për qëndrimet e saj pro-ruse dhe pro-serbe, propozoi për kryeministër kandidatin e saj, Miograd Lekiç. Presidenti Gjukanoviç e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe propozoi zgjedhje të reja.
Kjo nxiti parlamentin të ndryshonte Ligjin për Presidentin, duke i hequr atij disa kompetenca, për të bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa patur nevojë për miratim nga presidenti. Komisioni i Venecias, e kritikoi ligjin si në shkelje të Kushtetutës.
Faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.
(Zëri i Amerikës)