Uashington, 14 shkurt 2022 – Shtetet e Bashkuara po zhvendosin operacionet e ambasadës së tyre në Ukrainë nga kryeqyteti Kiev në qytetin perëndimor të Lvivit, tha të hënën Sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke përmendur “përshpejtimin dramatik në grumbullimin e forcave ruse”.
Lëvizja vjen pasi zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë se Moska mund të nisë një sulm ndaj Ukrainës, përfshirë Kievin, çdo ditë, pasi grumbulloi më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit lindor të ish-republikës sovjetike dhe më shumë forca në Bjellorusi, në veri.
Sekretari Blinken tha në një deklaratë se vendimi ishte marrë për shkak të shqetësimit për sigurinë e stafit të ambasadës. Shumica e stafit të ambasadës tashmë është urdhëruar të largohet nga Ukraina dhe gjithashtu qytetarët amerikanë janë këshilluar të largohen nga vendi.
“Ekipi im dhe unë vazhdimisht shqyrtojmë situatën e sigurisë për të përcaktuar se kur maturia dikton një ndryshim në sjellje”, tha Blinken, duke shtuar se Uashingtoni do të vazhdojë të punojë për një zgjidhje diplomatike të tensioneve.
”Operacionet e ambasadës po zhvendosen përkohësisht në Lviv, afërsisht 80 kilometra nga kufiri perëndimor i Ukrainës me Poloninë, por ambasada do të mbetet e angazhuar me qeverinë ukrainase në Kiev”, tha sekreari Blinken.
(Zëri i Amerikës)