SHBA: Zhvillimet e fundit në Kosovë janë shqetësuese, braktisja e institucioneve nuk është zgjidhje

Uashington, 8 nëntor 2022 – Ndihmës-sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike, Karen Donfried, ka reaguar për situatën në veri të Kosovës. Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe ka theksuar se braktisja e institucioneve nga Lista Serbe nuk është zgjidhje.

Zonja Donfried ka kërkuar uljen e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Ne jemi duke u marrë 24 orë në ditë me çështjen e monitorimit të situatës në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova të zbatojnë marrëveshjet e arritura. Ne e kemi mirëpritur propozimin gjermano-francez. Mendojmë se ka hapësirë për progres. Së bashku me BE-në mbështesim progresin, SHBA mendon se zhvillimet e fundit janë shqetësuese, nuk është zgjidhje braktisja e institucioneve”, ka thënë ajo, citon ATSH.

Zonja Donfrid ka thënë se SHBA-të janë në linjë me BE-në për zgjidhjen e problemit përmes dialogut, ndërsa bëri thirrje që të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa të sigurta.

“Të gjitha palët duhet të marrin hapa për qetësi dhe për siguri. Bëjmë thirrje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Situata nuk duhet të përshkallëzohet, jetët e atyre që janë paqeruajtës atje janë në rrezik. Tensionet në veri të Kosovës duhet të zvogëlohen”, ka thënë ajo.

Më 5 nëntor, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës. Ky vendim erdhi pasi autoritetet e Kosovës e pushuan drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pasi ai refuzoi të zbatojë vendimin e qeverisë për targat e automjeteve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi Serbinë se po përpiqet ta destabilizojë Kosovën për të kamufluar refuzimin e planit franko-gjerman për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

(r.m.)