Shefi i EULEX-it dhe ambasadori gjerman shprehin shqetësimin për situatën në veri

Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë thënë se janë të shqetësuar për situatën në veri të vendit.

Wigemark ka shkruar në Twitter se është i shqetësuar me incidentet e djeshme në veri dhe se “çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”.

Ai tha se EULEX-i do të vazhdojë ta monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shpërndarë postimin e Wigemarkut në Twitter, dhe ka shkruar “vërtet shumë shqetësuese”, duke shtuar që ai mbështetë protestat paqësore, por duhet të ketë “zero tolerancë ndaj dhunës”.

“Dhuna e djeshme ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore është e papranueshme”, ka thënë Rohde.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se aktualisht në veri të Kosovës nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

Këto komente vijnë një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Në zyrat e Komisionit në Mitrovicë Veriore dhe Zubin Potok pati edhe incidente me armë zjarri dhe me mjete shpërthyese.

Zgjedhjet në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale të lëshuara në Serbi.

(r.m.)