Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase: Do ta mposhtim Rusinë deri në fund të këtij viti

Kiev, 14 maj 2022 – Lufta në Ukrainë mund të arrijë një pikë kthese në gusht dhe të përfundojë me mposhtjen e Rusisë para fundit të vitit, tha shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, në një intervistë për Sky News.

Gjeneralmajor Kyrylo Budanov tha për median britanike, më 14 maj, se ai ishte optimist lidhur me trajektoren aktuale të konfliktit që nisi më 24 shkurt.

“Pika e kthesës mund të jetë në pjesën e dytë të gushtit”, tha ai.

“Shumica e veprimeve aktive luftuese do të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Si rezultat, ne do të rinovojmë fuqinë ukrainase në të gjitha territoret tona që i kemi humbur, përfshirë Donbasin dhe Krimenë”, tha ai, transmeton AFP.

Luftime intensive aktualisht po zhvillohen në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, ku Rusia aktualisht ka përqendruar forcat e saj, por që nuk ka bërë ndonjë përparim të rëndësishëm.

Budanov tha se Ukraina di gjithçka për armikun.

“Ne dimë për planet e tyre, pothuajse prej momentit që bëhen këto plane”, tha ai.

Rusia deri më tani ka arritur që të marrë kontrollin e plotë të vetëm një qyteti të madh, Hersonit, dhe ofensiva ushtarake që shumë ekspertë parashikuan se do të ishte e shpejt, ka ngecur, veçmas është përcjellë me probleme logjistike.

Shefi i inteligjencës së Ukrainës po ashtu bëri pretendime të paverifikuara se në Moskë veçse ka nisur një grusht shteti për ta larguar nga pushteti presidentin rus, Vladimir Putin, duke shtuar se lideri rus është i “sëmurë rëndë” me kancer.

Në mjuajin prill, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se raportimet se Putini ka kancer janë “shpikje dhe gënjeshtra”.

(REL)