Shefi i NATO-s ua tërheq vërejtjen evropianëve: Investoni më shumë në mbrojtje ose mësoni rusisht

Strasburg, 14 janar 2025 – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në paraqitjen e tij të parë në Parlamentin Evropian, ka kërkuar që vendet evropiane ta rrisin dukshëm investimet e tyre në mbrojtje, duke tërhequr vërejtjen se me kapacitetet ekzistuese të mbrojtjes nuk janë të mjaftueshme për garantimin e sigurisë.

Rutte ka shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj NATO-s, por edhe i ka dhënë të drejtë presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump që kërkon që vendet evropiane të investojnë më shumë në kap;acitetet e mbrojtjes.

Shefi i NATO-s ka thënë se pa SHBA-në është iluzore të mendohet për formimin e “NATO-s Evropiane”, së paku në 20 vjetët e ardhshme.

“Mbi 60 për qind të investimeve në mbrojtje që bëjnë bashkërisht të gjitha vendet anëtare të NATO-s ndahen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, të gjitha 31 vendet tjera, përfshirë edhe Kanadanë, ndajnë më pak se 40 për qind. Kjo dëshmon se sa iluzion është një NATO e fortë pa Amerikën. Dhe një NATO e tillë nuk na nevojitet pasi kjo që kemi na ka shërbyer kaq mirë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Rutte.  

Aktualisht NATO kërkon që vendet anëtare të saj të ndajnë për mbrojtje së paku 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Vendet anëtare ishin pajtuar përë këtë para dhjetë vjetësh, por këtë e kanë arritur deri vetëm dy të tretat tyre.

Sekretari Rutte ka tërhequr vërejtjen se situata në botë ka ndryshuar dhe se rreziqet për sigurinë janë aq të mëdha sa që 2 për qind e Bruto Prodhimit Vendor është e pamjaftueshme. Ai ka sugjeruar që investimet në mbrojtje të rriten së paku në 3.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Z. Rutte ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit të Bashkimit Evropian me NATO-n për të përballuar kërcënimet nga Rusia, por edhe nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat po lidhin aleancë me Rusinë.   

Ai ka bërë një paralajmërim të fuqishëm për evropianët.

“Ne sot kemi siguri, por nuk do ta kemi në pesë vjetët e ardhshme. Pra, ose investoni më shumë në mbrojtje ose regjistrohuni në një kurs të gjuhës ruse, oser shkoni në Zelandën e Re”, është shprehur Rutte në Parlamentin Evropian.

(r.m.)

Comment

*