Shefi i OSBE-së në Kosovë: Ngjarjet e fundit dëshmojnë urgjencën e kthimit në dialog

Prishtinë, 7 gusht 2024 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se ngjarjet e fundit në Kosovë dëshmojnë urgjencën e kthimit të palëve në dialog. 

Devenport, në një postim në plaformën X, ka thënë se mbyllja e filialeve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës dhe plani për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve janë çështje që duhet të zgjidhen në Bruksel.

“Ngjarjet e fundit – mbyllja e zyrave postare në komunat veriore dhe propozimet e reja për hapjen për qarkullim të urës në Mitrovicë – kanë theksuar urgjencën e kthimit në dialog. Të dyja këto çështje duhet të zgjidhen në procesin e udhëhequr nga BE-ja. Por, ky duhet të jetë dialog i fokusuar për përmirësimin e jetëve të njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe për rritjen e perspektivës së të rinjve të të gjitha komuniteteve për të jetuar, për të punuar dhe për të rritur familjet e tyre këtu”, ka shkruar Davenport.

(r.m.)