Moskë, 29 mars 2023 – Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha më 29 mars se luftimet për qytetin ukrainas të Bakhmutit kanë shkaktuar dëme të rënda në forcat e tij, por edhe në palën ukrainase.
“Beteja për Bahmutin tashmë ka shkatërruar praktikisht ushtrinë ukrainase, dhe për fat të keq, ajo gjithashtu ka dëmtuar rëndë kompaninë ushtarake private Wagner”, tha Prigozhin.
Gjatë ditës, ushtria ukrainase ka thënë se forcat e saj kanë zmbrapsur më shumë sulme ruse në Bahmut, teksa presidenti Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk mund ta përballojë humbjen e betejës në këtë qytet në rajonin e Donjeckut.
Bahmuti, bashkë me qytetet tjera Avdivka, Marinka dhe Liman, janë shënjestrat kryesore të Rusisë.
Anëtarët e Wagneri-it – me mijëra burra të rekrutuar nga burgjet në mbarë Rusinë – kanë qenë aktivisht të përfshirë në pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, që Rusia nisi shkurtin e vitit të kaluar.
Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
(REL)