Uashington, 17 shtator 2022 – Problemet me të cilat po përballet së fundmi Rusia në Ukrainë, tregojnë se në këtë pikë që kanë mbërritur gjërat, forcat e saj janë të paaftë për të arritur qëllimin fillestar të presidentit Vladimir Putin për pushtimin e vendit, tha të premten shefi i zbulimit të Pentagonit.
“Po mbërrijmë në një pikë kur zoti Putin do të duhet të rishikojë objektivat e tij lidhur me operacionin në (Ukrainë)”, tha gjeneral-lejtnant Scott Berrier, shef i zbulimit ushtarak amerikan gjatë një konferencë mbi çështje të zbulimit e sigurisë kombëtare shumë pranë Uashingtonit. “Aktualisht është mjaft e qartë se ai (Putini) nuk do të jetë në gjendje të realizojë atë që synoi në fillimet e operacionit”, shtoi ai.
Presidenti Putin sulmoi Ukrainën më 24 shkurt me synimin sipas zyrtarëve amerikanë për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi. Që në fillim të luftës forcat ukrainase arritën ta ndalin një pushtim të Kievit.
Rusia pësoi një tjetër goditje të madhe javën e kaluar, falë një kundërofensivë ukrainase që i detyroi trupat e saj të tërhiqen nga pjesa më e madhe e verilindjes së vendit.
“Rusët planifikuan një pushtim, por janë detyruar të zmbrapsen”, tha zoti Berrier, duke përmendur gjithashtu dhe hezitimin e zotit Putin për të mobilizuar plotësisht forcat ruse në luftë.
Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të administratës janë kujdesur që të mos e quajnë tërheqjen e fundit të Rusisë fitore të Ukrainës ose pikë kthese në luftë. Analistët paralajmërojnë se është e pamundur të parashikohet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.
(Zëri i Amerikës)