Shefja e USAID-it, Samantha Power, u takua me Vuçiqin, në Beograd

Beograd, 10 maj 2023 – Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, u takua të mërkurën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, zonja Power ka thënë se me presidentin Vuçiq ka diskutuar për të ardhmen e Serbisë dhe për mundësinë e vazhdimit të investimeve të Shteteve të Bashkuara për përmirësimin e jetës së popullit serb.

“Sot pata një takim produktiv dhe përmbajtjesor me Presidentin Vuçiq për të ardhmen e Serbisë dhe se si SHBA mund të vazhdojë të investojë në suksesin dhe prosperitetin e popullit serb”, ka shkruar zonja Power në Twitter.

Samantha Power është udhëheqësja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) që e viziton Serbinë, e cila mban lidhje të ngushta me Rusinë.

Nga Beogradi, zonja Power do të shkojë në Prishtinë, ku do të takohet me autoritetet shtetërore të Kosovës.

Vizita e saj në rajon realizohet në periudhën që SHBA dhe BE po bëjnë përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat vazhdojnë të mbeten të tensionuara qysh prej kohës së luftës në Kosovë.

Zonja Power synon të inkurajojë të dyja vendet të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

(r.m.)