Shënohet 24 vjetori i Betejës së Koshares, betejës më të lavdishme për çlirimin e Kosovës

Prishtinë, 9 prill 2023 – Sot në Kosovë u shënua 24 vjetori i Betejës së Koshares, njërës prej betejave më të lavdishme për çlirimin e Kosovës, e cila është bërë simbol i thyerjes së forcës ushtarake e policore të Serbisë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe e thyerjes së kufirit të ndarjes midis Kosovës e Shqipërisë.

Në Koshare u mbajt manifestimi “Ditët e shqipes”, në kujtim të dëshmorëve të rënë në këtë betejë. Familjarët e dëshmorëve, si edhe drejtues e përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike bënë homazhe dhe vendosën kurora  lulesh në pllakat përkujtimore në Kompleksin Memorial.

Autoritetet shtetërore, në dedikimet për dëshmorët e rënë në këtë betejë, thanë se ata janë shndërruar në symbol të sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nën patronazhin e së cilës mbahet  manifestimi “Ditët e shqipes”, ndër të tjera, ka thënë se Beteja e Koshares do të ketë vend nderi në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës.

“Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, ka deklaruar Osmani.

“Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”, ka theksuar ajo.

Edhe Kryeministri Albin Kurti, e ka cilësuar Betejën e Koshares si njërën nga betejat më të mëdha dhe më të rëndësishmet të luftës së popullit të Kosovës për liri.

“Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese. Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Bashkë me përmasat e saj në luftime, trupa dhe shtrirje territoriale, Beteja e Koshares është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën tonë për liri. Beteja e Koshares i ka garantuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një nga meritat më të veçanta të luftës, atë të thyerjes së kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të vendosur më 1913 dhe të rivendosur disa herë ndër vite, që i kishte mbajtur të ndarë shqiptarët për gati një shekull“,  ka shtuar ai.

“Mes nderimeve për dëshmorët e lirisë, sot themi lavdi për dëshmorët e rënë në luftimet e Betejës së Koshares si dhe nderime atyre të plagosurve që nga atëherë e deri sot kanë bartur plagët e luftës për lirinë e Kosovës. Kujtime e histori, nderime dhe krenari! “, ka theksuar Kurti

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një postim në Facebook, ka thënë se Beteja e Koshares e kishte forcuar shpresën e popullit të Kosovës për liri dhe e kishte ngritur moralin e luftëtarëve i moralin në mesin e popullit të Kosovës.

“24 vite qëkur ushtarët e Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga heroi Agim Ramadani, i dhanë fund ndarjes së kombit shqiptar, duke thyer kufirin Kosovë – Shqipëri.

Kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së – Betejës së Koshares, e cila forcoi shpresën dhe ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës.

Përherë mirënjohës për veprën e dëshmorëve dhe veteranëve të Betejës së Koshares!”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Beteja e Koshares është tempulli i sakrificës së djemve e vajzave të Kosovës për të sotmen dhe të ardhmen.

“Mes heronjëve të rënë që kanë gjetur pavdekësinë, me të gjallët dhe kujtimet e tyre për mëngjesin që mbanë datën 9 prill, shënuam 24 vjetorin e Betejës së Koshares dhe triumfit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në thyerjen e kufirit shqiptar.

Kosharja sot na qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës.

Sot, nderojmë Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, dhe secilin hero të rënë në altarin e lirisë. Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë.

Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se Epopeja e Koshares ka qenë vendimtare për epilogun e luftës për lirinë e Kosovës.

“Beteja e Koshares, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 24-vjetorin e saj, i kujtojmë me respektin më të lartë heronjtë; Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe dëshmorët e tjerë, që me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës sonë për liri.

Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, ndërroi rrjedhën historisë dhe i dha mesazh të qartë armikut se shqiptarët asnjëherë nuk e pranojnë robërinë.

Përgjithmonë mirënjohës kontributit të luftëtarëve të lirisë dhe të përulur para sakrificës së dëshmorëve të Kombit”, ka thënë Haradinaj.

Familjarët e dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares tha se janë krenarë me veprën e të dashurve të tyre.

“Këtu janë vënë themelet e lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Unë, nipi i Agim Ramadani, bashkë me të gjithë familjarët tjerë dhe familjarëve të gjithë dëshmorëve të rënë në Betejën e Kosharës jemi shumë krenarë… Beteja e Koshares shënon një kthesë të rëndësishme, e cila do të kujtohet brez pas brezi”, ka deklaruar Taulanti, nipi i komandantit Agim Ramadani.

This image has an empty alt attribute; its file name is Manifestimi-Ditet-e-Shqipes-Koshare-5.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Manifestimi-Ditet-e-Shqipes-Koshare-2.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Manifestimi-Ditet-e-Shqipes-Koshare-4.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Manifestimi-Ditet-e-Shqipes-Koshare.jpg

(r.m.)