Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i) njoftoi se në javët e ardhshme, shërbimi ndaj klientit – që ofron nga kjo agjensi – do të fusë në përdorim disa funksione të reja dixhitale.
Formulari i kërkesës për takim online – USCIS-i shfaqi si demonstrim një veçori të re të kërkesës për takim online që, megjithëse nuk shërben si mjet për ta caktuar vetë takimin, krijon mundësi për më shumë fleksibilitet dhe siguri për ata aplikantë që kanë nevojë për lloje të caktuara takimesh. Ky formular i ri i kërkesës për takim online do të vihet në dispozicion vetëm për katër lloje çështjesh: Vulat ADIT (që shërbejnë si dëshmi e përkohshme e statusit të rezidentit të ligjshëm të përhershëm), lejet e udhëtimit që i lejojnë emigrantit të rikthehet në SHBA (EAP), aprovimet nga gjykatësit e imigracionit, ose arsye të tjera (me të njëjtat kategori si ato të renditura kohët e fundit në faqen e internetit të USCIS-it lidhur me kohën kur mund të caktohet një takim Infopass)
Në versionin fillestar të këtij funksioni të ri për të bërë kërkesë për takime online, sistemi nuk do të kërkojë që të kryesh log-in në një llogari MyUSCIS. Për shembull, për të kërkuar një dokument urgjent udhëtimi, formulari do t’u kërkojë klientëve të japin informacionin që ka të bëjë me një datë specifike udhëtimi, si dhe dëshmi se pse ky udhëtim është urgjent. Nëse klienti nuk klikon “po”, atëherë gjithshka mbetet në vend, pra nuk procedohet me kërkesën. Në formularin e kërkesës, ekziston një kuti teksti ku klientët mund të japin shpjegime. Nëse klienti po ndihmohet nga një avokat, informacioni që kërkohet ka të bëjë me personin që përfiton nga kërkesa (përfituesin/klientin). Ju lutemi të vini re se formulari aktualisht nuk ka një fushë të caktuar qartë ku mund të futet informacioni për avokatin. Megjithatë, informacioni që ka të bëjë me avokatin mund të shkruhet në kutinë e tekstit. Klientët mund të zgjedhin se cila është dita e javës dhe ora që preferojnë për takimin e kërkuar. Është e rëndësishme që së bashku me kërkesën, të jepni numrin e njoftimit përkatës që keni marrë nga emigracioni, “numrin A”, e-mail-in dhe numrin e telefonit. Formulari do të ketë dhe pyetjen nëse klienti ka anëtarë të tjerë të familjes që kanë nevojë për shërbimin në fjalë dhe nëse po, do të kërkojë të njëjtin informacion identifikimi për secilin anëtar të familjes. Pas paraqitjes së kërkesës, klienti do të marrë një numër (record number), si dhe një konfirmim me e-mail.
Ricaktimi i takimit online për të dhënat biometrike – USCIS-i ka konfirmuar se funksioni online i krijuar për të kërkuar një datë të re takimi për të dhënat biometrike mund të përdoret vetëm dy herë. Sistemi do t’u kërkojë klientëve të zgjedhin një nga arsyet se pse po kërkojnë datë tjetër takimi, datën dhe orën aktuale të takimit, datën e lindjes së klientit si dhe vendndodhjen e qendrës së ndihmës “ASC”. Kur të bëjë kërkesën për të ndryshuar ditën e takimit, klienti ka mundësinë të zgjedhë të njëjtin vendndodhje të ASC-së ose një vendndodhje tjetër. Nëse zgjedh një vend tjetër për takimin, do t’i shfaqet një funksion kërkimi me kodin postar të shtetit përkatës. Pasi të futet dhe ky informacion, klientit do t’i shfaqen disa kutija ku tregohen datat dhe orët e lira për të caktuar takimin. Klienti mund të konfirmojë në ekran datën dhe orën e re të takimit. Klikimi mbi “confirm here” do t’ju numërohet si një nga dy herët që keni në dispozicion për të caktuar një datë të re takimi. Në sistem do të ketë të integruar edhe një mjet njoftimi dixhital për të shkarkuar dokumentin në PDF. Sistemit mund të duhen deri në 30 minuta për të përditësuar statusin për krijimin e një PDF-je të shkarkueshme. Është e rëndësishme të theksohet se mjeti në dispozicion për të caktuar një datë të re për të dhënat biometrike, nuk mund të përdoret në rastet kur personi nuk është paraqitur në takim. Për të ricaktuar një takim të ri në rastin kur klienti nuk është paraqitur në takimin e mëparshëm, atij ose asaj do t’i duhet të telefonojnë 1-800 Contact Center.
Funksioni për ndryshimin e adresës online – Që të mund të përdorin këtë mjet të ri, klientëve do t’u duhet të kyçen në llogarinë e tyre myUSCIS. Avokatët mund të plotësojnë formularin online të ndryshimit të adresës në emër të klientëve, përmes llogarisë së tyre MyUSCIS. Sistemi i lejon adresat e huaja. Me çdo ndryshim të kërkesës së adresës, mund të futen deri në 25 numra njoftimesh të dërguara nga emigracioni. Sistemi do t’ju njoftojë nëse kërkesa ka dalë me sukses apo ka dështuar. Arsyeja nëse kërkesa dështon, mund të jetë mospërputhja e numrave në njoftimet nga emigracioni, ose një problem teknik që nuk ka të bëjë fare me këto numra njoftimesh. Funksioni i ri online i ndryshimit të adresës do të përditësojë në kohë reale të gjitha sistemet brenda USCIS-it, për secilin nga numrat e njoftimeve të futura nga klienti.
Funksioni i përdorimit të mesazheve me tekst – Klientët do të kenë mundësinë të zgjedhin funksionin e përgjigjes me tekst nga USCIS-i për një kërkesë për shërbim të caktuar, pasi të kenë telefonuar numrin e 1-800 Contact Center ose përmes shërbimit online: Ask Emma. Kur një nëpunës i nivelit 2 e sheh të arsyeshme që për rastin në fjalë nevojitet një telefonatë, klientëve do t’u vijë një mesazh me tekst nga USCIS-i që i bën pyetjen klientit nëse do të jetë në gjendje të presë një telefonatë brenda 30, 45 ose 60 minutash. Nëpunësi i nivelit të 2-të të USCIS-it do të bëjë dy përpjekje për të telefonuar, zakonisht brenda ditës dhe para përfundimit të orarit zyrtar. USCIS-i do të presë një orë për të marrë përgjigje. Nëse klienti nuk u përgjigjet asnjërës prej dy tentativave të nëpunësit për të komunikuar përmes telefonit, atëherë kërkesa për shërbimin në fjalë konsiderohet e mbyllur.
Shpresojmë që këto mjete të vëna në dispozicion, do t’i bëjnë më pak irrituese përpjekjet tona për t’u lidhur me USCIS-in për çështje të caktuara. Së shpejti do ta shohim nëse do të jetë vërtet kështu si dhe do të bëjmë komentet tona përkatëse.