Shkarkohet nga detyra drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha

Tiranë, 9 janar 2025 – Drejtori i Teatrit Kombëtar në Tiranë, Altin Basha, është shkarkuar nga kjo detyrë të enjten, pas dyshimeve se ai ka abuzuar me fondet e institucionit që e drejtoi dy vjet.

Basha u lirua nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Ndryshimi synon në përmirësimin e nivelit drejtues dhe të cilësisë së mirëmenaxhimit ekonomiko-financiar dhe administrativ, rritjen e transparencës institucionale dhe sjelljen e një fryme të re komunikimi publik dhe bashkëpunimi ndaj komunitetit artistik e profesional”, thuhet në propozimin e ministrisë.

Ministria e caktoi drejtues të përkohshëm të Teatrit Kombëtar aktorin Indrit Çobani, ndërsa shpjegoi se drejtori i ri i këtij institucioni do të përzgjidhet në një process të hapur konkurrimi.

Altin Basha ishte emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar në dhjetor të vitit 2022.

Muajin e fundit Basha ishte në qendër të akuzave për mënyrën e menaxhimit të fondeve të teatrit, pas sinjalizimit të një emisioni investigativ. Në dhjetor, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e kishte ngritur nje grup punues për të verifikuar dyshimet për abuzim me buxhetin e shtetit.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndjekur me vëmendje, sikurse me shqetësim, zhvillimet e fundit mbi kronikat e transmetuara nga një emision investigativ lidhur me menaxhimin në Teatrin Kombëtar. Për të garantuar transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, më datë 23.12.2024 ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar. Pas shqyrtimit me detaje të të gjithë dokumentacionit dhe fakteve të raportuara, do të vlerësohet përputhshmëria dhe do të merren masat ligjore të nevojshme”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

(r.m.)

Comment

*