Shkëlzen Berisha u thirr në SPAK, ku u pyet lidhur me tragjedinë e Gërdecit

Tiranë, 26 janar 2023 – Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, u paraqit të enjten, më 26 janar 2023, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ku dha shpjegime lidhur me rrethanat e konstatuara nga hetimi i ngjarjes tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku e humbën jetën 26 persona.

Pasi doli nga zyrat e SPAK-ut, Berisha deklaroi para medieve se ishte thirrur si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit për çështjen e Gërdecit.

Berisha theksoi se nuk mund të ofronte më shumë nga sa deklaruar publikisht. Ai pohoi se kishte dhënë shpjegime edhe për një shkresë të Ministrisë së Drejtësisë në kohën kur drejtohej prej Aldo Bumçit, ku gjendet shënimi “për Shkëlzenin”.

“Unë s’kam asnjë lidhje me këtë. Ajo që prokuroria duhet t’i thotë publikut pas 15 vjetësh është se kush e ka bërë atë shënim. Mendoj që prokuroria pa diskutim duhet t’i thotë publikut e kujt është kaligrafia. Ka 15 vjet që prokuroria nuk i thotë publikut kush e ka bërë atë shënim,” tha Shkëlzen Berisha, duke pretenduar se në origjinalin e faksit nuk ekziston asnjë shënim i tillë.

Lidhur me një bisedë telefonike që ka pasur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu kur ndodhi ngjarja tragjike, Shkëlzen Berisha deklaroi se nuk kishte të bënte me çështjen e Gërdecit. Sipas tij, ishte biseduar për gjëra të natyrës familjare.

SPAK i komunikoi të martën më 10 janar 2023 ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzat lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona. Ai akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, të kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim me subjekte ushtarake.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me inciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut.

Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të vitit 2009 të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, por kjo gjykatë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen, duke shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, duke argumentuar se vepra penale është parashkruar. Ky vendim u rrëzua nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 24 shtator 2021, që i hapi rrugë procedimit të Mediut.

(Reporter.al)