Shkencat albanologjike nuk mund të jenë zorrë qorre të Akademive të Shkencave dhe Arteve

Prof. Dr Skender Asani

Ka një tendencë burokratike për zbehjen e rolit të shkencave albanologjike në avancimin dhe konsolidimin e çështjeve që lidhen me korpusin e temave e problemeve identitare. Për rrjedhojë, jo vetëm që është tepër shqetëuese tendenca për ngulfatjen e zërave që artikulojnë çështje identitare, por është edhe absurde që nga albanologjia të kërkohet të bëhet zorrë qorre e Akademive tona të Shkencave e Arteve.

Ky shqetësim vie në shprehje sidomos në Shkup, pasi që atje thyhen shtizat e betejave identitare, ku ITSHKSH i ka zhvilluar me sukses ato beteja, duke u përfshi në një treg më të gjerë idesh e projektesh. Instituti ynë ka dalë shumë fuqishëm mbi sipërfaqen e amullisë ekzituese dhe kjo me siguri nuk iu konvenon atyre që duan status quo. Ata  nuk duan që idetë shkencore t’iu prijnë proceseve shoqërore, prandaj të vetmin instrument që tani për tani përdorin është të disiplojnë institutet, madje edhe t’i lënë pa buxhet, siç ka ndodhur me Institutin tonë,  dhe pastaj t’i fusin ato nën tutelën e Akademive të Shkencave dhe Arteve. Këto të fundit, që është një realitet i ngjashëm edhe në Tiranë dhe në Prishtinë, ka kohë që nuk po e kryejnë misionin e tyre bazik dhe për të kompenzuar këtë pasivitet, tani kanë shpikur integrimin, gjegjësisht, shkrirjen e instituteve nën ombrellën e akademive.  

Instutet shkencore tash më kanë krijuar fizionominë dhe autoniminë  e tyre të veprimit. Me projekte konkrete në terren dhe me botime e konferenca të ndryshme shkencore, institutet tona janë shndërruar në asete kombëtare dhe si të tillë ato po e trasojnë edhe rrugën e mendimit të mirëfillt shkencor. Është për t’u habitur tendenca e frikës që po shfaqet nga kjo frymë autonome e mendimit shkencor, sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe kjo frikë, e cila si duket rrënjët i ka në atë thënien e moçme popullore “prish shtëpi, e ndreq çardak”. Se kujt po i konvenon që shkencat tona albanologjike t’i lënë pa shtëpitë e tyre, kjo mbetet të analizohet, por ajo që mund të shihet e që nuk kërkon ndonjë sqarim shtesë është fakti se te ne po nxjerin krye tendencat burokratike për centralizimin e mbikqyrjes dhe kontrollit mbi mendimin shkencor albanologjik, duke i përdorur akademitë e shkencave si gardianë me çelësa në duar të cilët do të vendosin pastaj se kush mundet dhe kush jo ta gezojë lirinë e  shprehjes së mendimit të pavarur shkencor. Me fjalë të tjera, i bie që Akademitë e Shkencave, pasi që nuk po punojnë asgjë, tani do t’i angazhojnë që të ndajnë licenca për gjithë ata që duaj të merren me shkencë, por nën tutetën e tyre.

Ne në Maqedoninë e Veriut këto tendenca i përjetojmë dyfish rëndë: edhe si shkencëtarë, edhe si pjesëtarë të një etnie që po lufton për të avancuar statusin e vet identitar.

Dhe në vend se nga Prishtina, dhe sidomos nga Tiranë, të na vinin përkahjet  dhe solidarizimet, edhe atje po ndodhë, fatkeqësisht e njejta tendencë, por me një natyrë tjetër të destruktivitetit burokratik.

Prandaj kemi bërë shumë mirë që jemi mbledhur sot në Shkodër dhe sidomos është për t’u përshëndetur nisma e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanlogjike, z.Luan Përzhita, i cili,  bashkë me neve, po tregon gatishmëri për përgatitjen e një strategjie të përbashkët që do t’iu kundërvihej tendencave retrograde burokratike që si synim kanë ngulfatjen e institucioneve tona albanologjike.

ITSHKSH në Shkup do të jetë pjesë e këtyre përpjekjeve për të ruajtur dhe konsoliduar autonominë e institutive tona dhe për rrjedhojë ne do të mbështesim çdo nismë dhe çdo aktivitet që parandalon ngulfatjen e punës sonë. Këtë do ta bëjmë në emër të albanologjisë dhe në emër të brezave të tërë sduiuesish që nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për të afirmuar sa më larg aritjet tona shkencore albanologjike.

Qendrat tona albanologjike duhet të vazhdojnë të punojnë me një hov edhe më të madh, duke e thelluar bashkëpunimin shkencor me institucionet e ngjashme të  Evropës Juglindore, si dhe duke avancuar këmbimin e  përvojave dhe përgatitjen e botimeve të përbashkëta.

Si pikësynim i yni strategjik duhet të jetë gjithsesi edhe përgatitja e kuadrove të reja, që nënkupton edhe qëndrimet studimore në shtetet e Evropës ose në Amerikë, si dhe mundësi të shumta për hulumtime sa më të mirëfillta.

Qendrat tona albanologjiek duhet të bëjnë Projekte të përbashkëta me interes kombëtar, kurse një prej prioriteteve tona duhet të jetë përkthimi i veprave të albanologëve të huaj si Thunmann, Xylander, Bopp, G. Mayer, Lambertz, Jokl etj.,

Botimi i ndonjë vepre të rëndësishme të autorëve shqiptar në ndonjërën nga gjuhët e mëdha, duhet të jetë gjithashtu pjesë e strategjisë sonë, kurse botimi i një reviste të përbashkët në gjuhë të huaja, për autorët shqiptarë dhe të huaj, duhet të jetë një nga obligimet tona të ngutshme në të ardhmen.

Shkencat e albanologjisë kanë nevojë për më tepër qarkullim idesh e mendimesh, prandaj mbajtja e konferencave shkencore të përbashkëta dhe i prezantimeve të përbashkëta shkencore, do t’iu ndihmonte së tepërmi studiuesve tanë që të kultivojnë edhe më fuqishëm sensin e avancimit të dijeve albanologjike në një horizont me të gjerë konkurrues.

 

Shkodër, 26 tetor, 2021

 

(Kumtesë e lexuar në konsultën “Drejt një strategjie të albanoligjisë”, mbajtur në Shkodër)