Curtin (Australi), 27 janar 2022 – Shkencëtarët australianë thanë se kanë zbuluar një objekt rrotullues të panjohur në Rrugën e Qumështit, në galaktikën ku gjendet sistemi ynë diellor. Ata pretendojnë se një objekt i tillë nuk është zbuluar më parë.
Objekti – që fillimisht u zbulua nga një student universitar – është parë se ka liruar një shpërthim të madh të radio-energjisë, që ka zgjatur për një minutë të plotë, dhe ka ndodhur çdo 18 minuta.
Objekte që lëshojnë energji në Univers dokumentohen shumë shpesh. Por, hulumtuesit thanë se është shumë e pazakonshme që një objekt të lëshojë energji për një minutë të plotë.
Ekipi i shkencëtarëve tha se po kryen hulumtime të mëtejme për të kuptuar se pse ka ndodhur kjo.
Objekti fillimisht u zbulua nga studenti i Universitetit Curtin, Tyrone O’Doherty. Ai kishte përdorur një teleskop dhe një teknikë të re, që e ka zhvilluar vetë, kur e ka detektuar këtë objekt.
O’Doherty ishte pjesë e ekipit të udhëhequr nga astrofizikantja Natasha Hurley-Walker nga Universiteti Curtin dhe nga Qendra Kombëtare për Kërkime të Radio Astronomisë (ICRAR).
“Gjatë vëzhgimeve tona disa orëshe [objekti] u zhduk dhe u shfaq disa herë”, citohet të ketë thënë ajo në një deklaratë për media të lëshuar nga ICRAR.
“Kjo ishte krejtësisht e papritur. Ishte pak e frikshme për një astronom sepse nuk dimë se ka diçka në qiell që e bën këtë gjë”.
Objektet që ndizen dhe fiken në Univers nuk janë gjë e re për astronomët. Ata përdorin termin “transients” për këto objekte.
Por, lirimi i energjisë për një minutë të plotë nga objekti i zbuluar ishte diçka “e çuditshme”, tha astrofizikantja, Gemma Anderson.
ICRAR shtoi se, në bazë të të dhënave, ekipi ka arritur të vlerësojë se objekti gjendet rreth 4,000 vjet dritë larg nga Toka. Ky objekt, sipas shkencëtarëve, ishte jashtëzakonisht i shndritshëm dhe kishte një fushë magnetike jashtëzakonisht të fuqishme.
Ka një sërë teorish se çfarë mund të jetë ky objekt, duke filluar nga dyshimet se ai mund të jetë një yll neutroni ose një “xhuxh i bardhë” – term që u referohet mbetjeve të një ylli që ka kolapsuar. Megjithatë, ky zbulim ende është i mbështjellë me shumë mistere.
“Hulumtimet e mëtejme do të na tregojnë nëse kjo ishte një ngjarje e rrallë apo diçka e re që nuk e kemi vërejtur kurrë më parë”, tha Dr.Hurley-Walker.
(REL)