Shkencëtarët e BE-së: Viti 2023 ishte viti më i nxehtë në histori

Bruksel, 9 janar 2024 – Viti i kaluar ishte viti më i nxehtë i regjistruar në planet dhe me gjasë viti më i nxehtë në botë në 100.000 vjetët e fundit, tha më 9 janar Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.

Shkencëtarët e kishin pritur këtë konfirmim, pasi shumë rekorde klimatike u thyen vazhdimisht. Që nga qershori, për çdo muaj ishte muaji më i nxehtë në histori krahasuar me muajt përkatës të viteve paraprake.

“Ky ishte një vit shumë i jashtëzakonshëm, në aspektin e klimës, edhe nëse krahasohet me vitet e tjera më të nxehta”, tha drejtori i Shërbimit të BE-së, Carlo Buontempo.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i BE-së konfirmoi se vitit 2023 ishte viti më i nxehtë i regjistruar, që kur kanë nisur të regjistrohen të dhënat për temperaturat globale më 1850. Kur u krahasua me të dhënat paleoklimatike, Buontempo tha se ka “shumë gjasa” që viti 2023 është viti më i nxehtë në 100.000 vjetët e fundit.

Mesatarisht, më 2023 planeti ishte 1.48 gradë Celsius më i nxehtë se periudha paraindustriale më 1850-1900, kur njerëzit nisën të përdornin karburantet fosile në shkallë industriale, duke liruar dyoksid karboni në atmosferë.

Më 2015, në Marrëveshjen e Parisit, shtetet u zotuan se do të tentonin të parandalonin që ngrohja globale të kalonte 1.5 gradë Celsius, në mënyrë që të shmangen pasojat e rënda.

Por, bota e ka shkelur këtë synim – që i referohet temperaturës mesatare globale prej 1.5 gradë Celsius në dekada – por, Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i BE-së tha se temperaturat në pothuajse gjysmën e ditëve të vitit 2023, arritën në nivele “të paprecedenta”.

Po ashtu, niveli i dyoksidit të karbonit në atmosferë u rrit në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, sipas shkencëtarëve të BE-së. Viti 2023, ishte viti i parë që çdo ditë ishte 1 gradë Celsius më i nxehtë sesa në periudhën para-industriale. Po ashtu, në nëntorin e këtij viti, dy ditë ishin 2 gradë Celsius më të nxehta sesa në periudhën paraindustriale.

Po ashtu, viti 2023 ishte për 0.17 gradë Celsius më i nxehtë sesa viti 2016, që paraprakisht ishte viti më i nxehtë i regjistruar.

Shkencëtarët thanë se nxehtësia e regjistruar më 2023 është sinjal se po përkeqësohet ngrohja globale.

Më 2023, bota u përball me ngjarje shkatërruese të motit, me shira dhe vërshime që vranë mijëra njerëz dhe me zjarret më të egra të regjistruara ndonjëherë.

(REL)