Shkencëtarja britanike paralajmëron për një pandemi të re “më vdekjeprurëse”

Londër, 6 dhjetor 2021 – Zhvilluesja kryesore e vaksinës kundër koronavirusit të Oxford/AstraZeneca, Sarah Gilbert, ka paralajmëruar se pandemia e ardhshme mund të jetë “më vdekjeprurëse”, prandaj ka bërë thirrje që të bëhen parapërgatitje më të mira.

Vaksinologia Gilbert ka thënë se bota duhet të mësojë nga pandemia e COVID-19.

“Kjo nuk do të jetë hera e fundit që virusi do të kërcënojë jetën tonë. E vërteta është që, (pandemia) e ardhshme do të jetë më e keqe. Mund të jetë më ngjitëse ose më vdekjeprurëse, ose të dyja së bashku”, ka thënë Gilbert, citon Radio Evropae Lirë.

“Përparimet që kemi bërë dhe njohuritë që kemi fituar, nuk duhet t’i humbasim”, ka theksuar ajo.

Gilbert ka bërë thirrje për kujdes të shtuar edhe ndaj variantit të ri të koronavirusit, Omicron.

“Derisa të dimë më shumë, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndërmarrim hapa për të frenuar përhapjen e këtij varianti të ri”, ka thënë ajo.

Vaksina e prodhuar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca ishte vaksina e parë kundër koronavirusit që sot përdoret në mbi 170 shtete të botës.

Për shkak të rolit të saj në zbulimin e vaksinës, Gilbert është nderuar nga Mbretëresha Elizabeth II me titullin “Damë”.

Sarah Gilbert punon në prodhimin dhe testimin e vaksinave prej më shumë se një dekade, duke përdorur kryesisht antigjenët e malaries dhe të gripit.

Ajo e nisi projektin për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit në fillim të vitit 2020, pas  kohë pas shfaqjes së virusit në Kinë.

(r.m.)