Shkoi në spital që ta operojë këmbën e majtë, por ia operuan të djathtën

Prishtinë, 21 maj 2025 – Remzi Toçilla e ka përjetuar një përvojë të hidhur në një spital privat në Maqedoni të Veriut (emri I të cilit nuk është publikuar), ku kishte shkuar për ta operuar këmbën.

Toqilla tha se mjeku ia operoi këmbën tjetër dhe jo këmbën për të cilën kishte shkuar në atë spital.

“Edhe pse ishin bërë të gjitha analizat laboratorike dhe analizat tjera me rezonancë magnetike, dhe mjeku që e ka kryer operacionin i kishte ato në dispozicion, megjithatë fundi doli diçka krejt tjetër: në vend të këmbës së majtë u operua e djathta. Atë e vërejta kur dola nga salla e operacionit”, ka thënë Toçilla në Televizionin Klan Kosova.

Toqilla ka treguar se në spital kishte shkuar për shkak se kishte pasur probleme me meniskusin e këmbën e majtë, por mjeku ia kishte operuar këmbën e djathtë. Ai ka thënë se mjeku ishte arsyetuar se të dy këmbët duhet të operoheshin.

“Mjeku, për t’u arsyetuar, thoshte: ‘E pashë se këmba e djathtë është lënduar nga këmba e majtë, sepse ka tentuar që peshën ta kalojë në këmbën tjetër, kështu që ka pësuar edhe këmba e djathtë, ashtu që vendosëm aty për aty që një herë ta bëjmë operacion këmbën e djathtë e pas dy-tri javësh do ta bënim edhe të majtën’”.

Sipas tij, mjeku e kishte dhënë këtë arsyetim vetëm sa për të justifikuar gabimin e tij.

“Unë me argumente i tregova se nuk qëndronte ajo që po thoshte. Menjëherë pas operacionit, i thashë mjekut: ‘si e more guximin ta bësh një gjë të tillë pa kurrfarë analizash , pa ndonjë fotografi rentgeni apo rezonance magnetike, si edhe pa pëlqimin tim. Në dokumentet që i kam nënshkruar para se të hyj në operacion flitet për këmbën e majtë”, është shprehur ai.

Remzi Toçilla ka bërë të ditur se ai e ka angazhuar një avokat nga Maqedonia e Veriut dhe se ka bërë padi në një gjykatë në Shkup.

“Kemi biseduar me avokatët e Sistinës për ta gjetur një kompromis, por ata nuk janë pajtuar. Kompromisi i tyre i vetëm ishte që ta bëjnë operacion këmbën e majtë pa pagesë, pra gratis. Unë u thashë: ‘Jo dhe arsye e vetme është se nuk i besoj më”, është shprehur Toçilla.

(Sipas KlanKosova.tv)