Mbi njatë Flamur Perendia,
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!” (Gjergj Fishta)
Nga Keze Kozeta Zylo
Këto ditë festuam Ditën e Flamurit Kombëtar!
Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit pothuajse në të gjitha lagjet e Nju Jorkut festuan me madhështi Ditën e Shenjtë të Flamurit
Për shkak se javën tjetër në fundjavë shkollat publike janë të mbyllura ngase është Dita e Falënderimeve, ne e festuam Ditën e Flamurit në bazë shkollash një javë më parë.
Është krenari kombëtare që edhe pse jemi larg Atdheut Shqiponjat e Shkollës Shqipe e festojnë me plot dashuri dhe krenari Ditën e Shenjtë të Flamurit. Nxënësit nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara si Fatlinda Gashi dhe Rozeta Daci në Brooklyn, Entela Muda, Elona Shkreta në Staten Island, Kade Lajqi, Helena Ujkaj, Albana Lazri dhe Mehrije Shala së bashku me asistentet si Edona, Erlinda, Blenda dhe Sara dhanë një program të shkurtër artistik me vjersha, valle dhe këngë patriotike.
Kënaqësi është kur pranë nesh vinë ish mësues si Vjosa Rraci Gruda apo dhe ish nxënës të tjerë që shprehin dëshirën për ta festuar Ditën e Flamurit bashkë.
Në ekran në cdo shkollë u dha deklarata e Pavarësisë, mbajtur më 28 Nëntor 1912 nga Ati i Pavarësisë Ismail Bej Vlora. Në tekstin origjinal të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë shkruhet:
“Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Shkollat u mbushën plot e përplot nga gumëzhitja dhe cicërrimat e nxënësve që vinë me aq dashuri dhe pasion pranë shkollave shqipe “Alba Life” dhe natyrisht ky është bashkëpunimi i frytshëm midis mësueseve, nxënësve dhe Bordit.
Nxënësit të gjithë me flamuj në duar, vajzat me kostume popullore apo me fjongot kuq e zi e bënin dhe më të bukur dhe ndiznin atmosferën në këtë ditë të shenjtë.
Ceremonitë u hapën me Himnin Kombëtar shqiptar si:
Rreth flamurit të përbashkuar,
me një dëshirë e një qëllim,
të gjithë atij duk’iu betuar
të lidhim besën për shpëtim.
Të gjithë nxënësit në shkollat ku kishte mundësi të merrte pjesë z. Qemal Zylo i përshëndeti dhe iu uroi ta gëzojnë ditën e Flamurit përjetësisht. Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave Shqipe “Alba Life” në New York dhe në Online foli me krenari për festimin e Ditës së Shenjtë të Flamurit që realizohet me një program serioz cka e bën shkollën tonë të jetë një ndër shkollat më prestigjioze dhe plot sukses në rritje.
Nxënës të shumtë recituan poezi patriotike dhe vallëzuan valle tradicionale të mrekullueshme. Psh në Brooklyn dhe në Bronx grupet e valleve intepretuan mjeshtërisht nën drejtimin e asistenteve Blendës, Edonës si dhe Erlinda, ndërkohë zonjusha Gjidija interpretoi këngën aq të dashur ndër shqiptarë: Mora fjalë kushtuar Heroi legjendar Adem Jashari.
Në Brooklyn u shfaq në ekran kënga kushtuar Shkollave Shqipe Alba Life interpretuar nga grupi “Thesaret Labe” të cilët i kishim mysafirë javën e kaluar.
Ata përshëndetën: Alba Life mirë se të gjetëm/ Tempulli i diturisë…
Flamuri kuq e zi bashkon shqiptarët anë e mbanë globit ashtu si në Shkollat Shqipe “Alba Life” që kanë 16 vjet që e festojnë me madhështi, sepse frymëzohen nga Himni Kombëtar për Kombin që thotë: “Shqipëria do të rrojë/
Për të, për të, luftojmë ne!”
18 Nëntor, 2023
New York