Shkon në 59 numri i viktimave të zjarrit në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 16 mars 2025 – Autoritetet më Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se në zjarrin që ka shpërthyer në një klub nate në qytetin Koçani ka marrë jetën e 59 personave dhe ka lënë të lënduar mbi 155 të tjerë, 18 prej të cilëve janë ende në rrezik për jetën.

Raportohet se në momentin e shpërthimit të zjarrit, në klubin e natës “Pulse” gjendeshin mbi 1.500 qytetarë.

Të plagosurit, të cilët kanë pësuar djegie të shkallëve të ndryshme, janë dërguar në klinikat e Shkupit dhe në klinikat e qyteteve tjera të Maqedonisë së Veriut. Autoritetet thonë se sistemi shëndetësor në vend është mobilizuar me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar jetët e të lënduarve, midis të cilëve njoftohet se ka edhe të mitur.

“Po kujdesemi për të gjithë, po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundshme. Nuk do të spekuloja sa janë në gjendje kritike, por do të shkoj te Separtamenti i Kirurgjisë për të marrë informacion të hollësishëm”, ka thënë  ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Ai ka bërë të ditur se disa nga të plagosurit që ishin dërguar në Shtip janë transportuar në spitalin e Shkupit.

This image has an empty alt attribute; its file name is Familjare-te-pacienteve-te-lenduar-nga-zjarri-ne-Maqedonine-e-Veriut.jpg

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka thënë se në spitale ka të vdekur që duhet të identifikohen përmes autopsisë.

Ai ka thënë se, sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.

“Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.

 

Toshkovski ka bërë të ditur se janë lëshuar katër urdhër-arrestime, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Më herët, ai ka thënë se një person është arrestuar, ndërsa agjencia maqedonase e lajmeve MIA ka raportuar se pronari i klubit është ndaluar.

Kryeministri Hristjan Mickoski, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria është “plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’u përballur me pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë”. Ai ka thënë e diela është “ditë e vështirë dhe shumë e rëndë” për shtetin, i cili ka humbur kaq shumë të rinj.

Zëvendës-kryeministri Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka thënë se institucionet kompetente kanë filluar hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie të rëndë. Ai ka thënë se Shqipëria, Bullgaria e vendet tjera fqinje kanë shprehur gatishmërinë të ndihmojnë me çfarë kanë mundësi për minimizimin e pajosave të kësaj tragjedie.

(r.m.)