Ankara / Damask, 8 shkurt 2023 – Ekipet e shpëtimit në Turqi dhe Siri po luftojnë më kohën dhe të ftohtin të mërkurën për të gjetur të mbijetuar të mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i fuqishëm, që goditi rajonin të hënën, dhe la pas vetes mbi 11 mijë të vdekur.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i cili qëndroi në zonë të mërkurën tha se të paktën 8 mijë e 500 veta humbën jetën.
Në Siri, sipas të dhënave nga qeveria e Damaskut dhe grupet e shpëtimit, të paktën 2 mijë e 470 veta humbën jetën.
Presidenti turk shpalli shtatë ditë zie kombëtare dhe një gjendje të jashtëzakonshme tre muajshe në 10 provinca të prekura drejtpërdrejt nga tërmeti.
Në përpjekjet e shpëtimit në Turqi janë përfshirë 96 mijë veta, tha të mërkurën agjencia e menaxhimit të emergjencave të vendit.
Tërmeti i së hënës është ngjarja sizmike më vdekjeprurëse në botë që nga një tërmet që u përcoll nga një cunami në vitin 2011 në Japoni që la pas vetes rreth 20 mijë të vdekur.
Epiqendra e tërmetit të para agimit të së hënës ishte në Pazarcik, pranë qytetit të Gaziantepit, afër kufirit Turqi-Siri.
Ekipet e kërkimit dhe ndihmat emergjente po arrijnë nga e gjithë bota në Turqi dhe Siri ndërsa punonjësit e shpëtimit po gërmojnë nëpër rrënoja në një kërkim të dëshpëruar për të mbijetuar. Disa zëra që kishin thirrur për ndihmë, ranë në heshtje.
“Ne mund t’i dëgjonim zërat e tyre, ata po bënin thirrje për ndihmë”, tha Ali Silo, dy të afërm të të cilit nuk u shpëtuan dot në qytetin turk, Nurdagi.
Më shumë se 8 mijë veta janë nxjerrë nga rrënojat vetëm në Turqi, tha zëvendëspresidenti Fuat Oktay dhe rreth 380 mijë ndodhen nëpër strehimore apo hotele qeveritare. Ata u grumbulluan në qendra tregtare, stadiume, xhami dhe qendra komunitare, ndërsa të tjerët e kaluan natën jashtë të mbështjellë me batanije duke u mbledhur rreth zjarreve.
(Zëri i Amerikës)