Shkon në mbi 45 mijë numri i viktimave të tërmetit në Turqi e Siri

Ankara, 18 shkurt 2023 – Tre persona, mes tyre një fëmijë, u nxorrën të gjallë nga rrënojat e tërmetit në Turqi, të shtunën. Prindërit ia dolën të shpëtojnë, ndërsa fëmija e humbi jetën më vonë, si pasojë e dehidratimit, njoftoi një anëtar i ekipit të shpëtimit.

“Dëgjuam zëra ndërsa gërmomim. Kur gjejmë njerëz që janë gjallë jemi shumë të lumtur”, tha Atay Osmanov, anëtar i ekipeve të shpëtimit nga Kirgizstani.

Sipas autoriteteve turke, numri i viktimave nga tërmeti ka arritur në 40,642, por bilanci pritet të rritet edhe më, duke patur parasysh se shume njerëz rezultojnë ende të zhdukur.

Ndërkaq, në Siri autoritetet thonë se e kanë humbur jetën 5800 persona, shifër kjo që nuk ka ndryshuar prej disa ditësh. Kreu i Programit Botëror të Ushqimit u kërkoi autoriteteve në veri-perëndim të Sirisë që t’i japin fund pengimit të qasjes në zonë, për t’u ofruar ndihmë qindra mijëra njerëzve të dëmtuar nga tërmeti.

Javën e kaluar agjencia tha se po i mbaronin rezervat në veri-perëndim të Sirisë dhe kërkoi që hapeshin më shumë pika kalimi në kufirin me Turqinë.

Që prej së premtes, 143 kamionë me ndihma të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë kaluar në zonën e kontrolluar nga rebelët në veri-perëndim të Sirisë, pas rifillimit të operacioneve të ndihmës në 9 shkurt, njoftoi zëdhënësi i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin dhe Cështjet Humanitare.

“Ne po përshkallëzojmë operacionin ndërkuftiar të ndihmës dhe po planifikojmë të dërgojmë më shumë kamiona çdo ditë,” tha ai.

(r.m.)