BOSTON – Në kthesën e rrugës për në Teatrin muzikor “North Shore” të Beverlit, Mass, në qoshen e rrugës, në një vend të dukshëm të bie në sy mëngjesorja-kafe e shqiptares Aurela. Së bashku me sytë e kaltër e flokët e çelët kaçurrela të kësaj bashkatdhetareje dhe mikpritjen e saj aq mbresëlënëse, të tërheq edhe aroma e shijshme e kafesë, e përgatitur në shumë stile, përfshi dhe kafenë turke. E vizitova një ditë Aurelën, e cila kaq herë më kishte ftuar për një kafe. Kur hyra brenda në kafene, sytë m’u vranë nga ngjyra e kuqe e tapetit, e kolltukëve dhe e mbulesave të tavolinave. Aty dhe bluzat e personelit të shërbimit ishin të kuqe e po ashtu edhe kapelet me strehë. Mbasi u përshëndetëm, e zonja e kafenesë më njohu me disa emigrantë shqiptarë, ulur në një tavolinë pranë banakut. Ndenja dhe unë me ta. Njëri prej tyre, që vazhdonte bisedën, ishte lushnjari Tare, ish-ekonomist në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, tjetri, edhe ai lushnjar, Ihsani, ish-shofer i kamionit “Albania” në ndërmarrjen e eksportit. Dy të tjerët ishin shkodranë. Ata sapo kishin lexuar librin e shkrimtarit humorist të mirënjohur Pëllumb Kulla “Skënder Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë” e po diskutonin tërë humor, kënaqësi e shakara, kapituj të veçantë të librit. Pra, isha ulur në një auditor të vogël dhe, desha s’desha, duhej të merrja pjesë edhe unë në ato bashkëbisedime zbavitëse. Tarja e kishte hapur librin te faqja e anekdotave dhe tha: “Thuaj si të duash ti, po Sallaku e ka hedhur vahun pa u lagur, aq bukur!…” “Ashtu siç e hodhe edhe ti vahun dikur, për “qepën e detit”,- e ngacmoi Ihsani,- a po jo?”
Ndërkaq Aurela na solli kafetë, u ul dhe ajo me filxhanin e saj e u drejtua nga unë: “Me që kjo mikja jonë ka qenë ekonomiste…, Tarja lipset ta tregojë “shkresën e qepës së detit”…Ajo është kulmi!…,-qeshi e zonja e kafenesë,- për pak Tarja do të kalbej burgjeve…”
Tarja shtyu më tutje filxhanin e kafesë, ndezi një cigare e hyri drejt e në temë: “Punoja për shumë vite,-tha ai,- ekonomist plani në Ministrinë e T.J… Ishte krijuar gjithandej një situatë elektrizuese nga fushata e “shpikje racionalizimeve” dhe, o burra, kush t’ia kalonte njëri-tjetrit. Takova një ditë rastësisht një mikun tim agronom e ai më tha se kishte bërë një studim për qepën e detit, e cila ishte mjaft e kërkuar në botë dhe, po të eksportohej, buxheti ynë i shtetit do të kishte të ardhura mjaft të mira. Ia mbusha mendjen agronomit se shpikja e tij pa ndihmën time nuk pinte ujë, qoftë ky dhe ujë deti, dhe ramë dakord që këtë studim t’ia propozonim qeverisë nëpërmjet titullarit të dikasterit. Në ministri jo vetëm që e pranuan mendimin tim gjenial, por, siç mora vesh më vonë, fjala kishte vajtur në vesh të kryeministrit, Mehmet Shehut, dhe ai kërkonte urgjent, brenda 24 orëve një raport mbi studimin për qepën e detit.
E shkrova raportin dhe vendosa ta shtypja vetë në makinën e shkrimit nga frika se mos daktilografistja bënte ndonjë gabim. Te dera e hapur e zyrës sime më rrinin si xhebrail shefi i sektorit dhe punonjësja e protokollit, për të mos lejuar njeri të hynte në zyrë e të më ndërpriste. “…Shoku Tare…, shpejt…, e shtypët qepën e detit?” “…Bëni gati zarfin ku do të futet raporti i qepës së detit!” “…Hej…ju…, mos bëni zhurmë në korridor se Tarja po shtyp qepën e detit!”
Tarja ndërpreu rrëfimin e psherëtiu. Nxori shaminë e fshiu djersët në tëmtha. Pastaj vazhdoi: “I ndodhur në një tension të tillë shtypës, vendosa letrën e bardhë në makinën e shkrimit dhe, i rrëmbyer nga ethet e qepës së detit, që aq shumë ishte përsëritur nga të gjithë ato ditë, pa patur vëmendjen e duhur, me duar të dridhura fillova të shtypja:
REPUBLIKA POPULLORE E QEPËS SË DETIT
Ministria e Tregtisë së Jashtme
Numer…Protokoll…Datë…
Tani ju e merrni me mend se ç’ndodhi më vonë.”
Tares iu tha gjuha e filloi të pinte kafenë e ftohur. Ndërsa Ihsani, i gatshëm për të plotësuar, vazhdoi rrëfimin më tej: “Punoja në të njëjtin dikaster me Taren. Gabimin fatal të këtij miku që rri tani këtu me ne, d.m.th. që ia ndryshoi emrin Republikës Popullore të Shqipërisë me atë të qepës së detit, gabimin fatal pra, e zbuloi rastësisht daktilografistja jonë, e cila, e fyer nga mosbesimi që ishte treguar ndaj aftësive të saj profesionale, filloi ta lexonte raportin me vemendje tamam në çastin kur po e futnin në zarf për t’ia dërguar Mehmet Shehut. Por Tarja e hodhi mirë vahun me atë autokritikën e fortë…”
Tarja vazhdonte të fshinte djersët e përfundoi :” Se si shpëtova atëhere nga ai incident, nga ajo sekëlldi e madhe, që dhe sot kur e kujtoj, më del gjumi natën…”
– Tani kini durim e dëgjoni,-thashë ,- po ju tregoj edhe unë historinë e shkresave të zyrave, me të cilat është lidhur veprimtaria ime e disa dekadave:
Në fondin e gjuhës sonë shqipe sot ka rihyrë edhe fjala “bashki”, e cila lakohet gati për ditë, disa herë nga media, organet ekonomike e politike apo nga njerëzit e thjeshtë dhe hallexhinjtë. Këtu e dyzet vjet të shkuara punoja si ekonomiste në Ministrinë e Ekonomisë Komunale. Një ditë ministri na mblodhi të gjithë e na urdhëroi: “Lini zyrat dhe merruni të gjithë me arkivat. Ka ardhur urdhër nga lart: brenda dy javëve arkivat duhet të pastrohen nga shkresat e tepërta…S’ka diskutim…”
– Po, ka diskutim,- u hodh e tha xha Thanasi.- Arkivat do të jenë gjithmonë plot, se bashkitë i kemi ngarkuar me shkresurina të kota…
U trondit e gjithë salla e mbledhjes nga lëvizja e karrigeve, nga një valë mërmëritjesh habie dhe frike, nga oh-et dhe ah-et. Ministri, në presidium, i zgurdulloi sytë sikur t’i kishte mbetur ndonjë tabletë në fyt. Ndërsa nga mbrapa, nja gjashtë duar e tërhiqnin plakun Thanas për xhakete, të ulej në karrige sa më parë të ishte e mundur. Ç’kishte ndodhur? Ishte përmendur fjala tabu “bashki”, që nënkuptonte regjimet e kaluara antipopullore. Dhe aq më tepër kjo fjalë kishte dalë nga goja e Thanasit , një ish-ekonomist i dëgjuar i paraçlirimit, por tashti llogaritar i thjeshtë, për shkak të një “yçkle” në biografi. Dikush nga salla tha: “Xhaxhai donte të thonte “komiteti ekzekutiv”, por ju e njihni…humorin e tij”…Pra, çdo gjë iu la shakasë dhe, pasi përfunduan të gjitha buzëqeshjet, na u dhanë udhëzimet e kontrollit të arkivit, si do të procedonim, çfarë dokumentesh do të hidhnim e ç’do të ruanim në kohëzgjatje.
Bodrumi ku punonim ishte aq i ulët, sa ne detyroheshim të rrinim tërë ditën ulur, të shfletonim, lexonim, sistemonim ose të grisnim dokumentet e parëndësishme me të cilat mbushnim thasët. Dhe ishte një punë pa fund. Shkresat, në vend që të mbaroheshin, shtoheshin dita-ditës sikur të mbinin nga tavani, dyshemeja e nga muret. Tok me ne ekonomistët, punonte edhe xha Thanas llogaritari, i cili priste me padurim kalimin e disa javëve për të dalë në pension. I lodhur, ca nga mosha, ca nga sëmundjet, xhaxhai mërmëriste tërë shpoti: “E di ç’keni, djema? Nxirrni shkrepsen dhe veruni zjarrin, se të tëra këto shkresa profka janë: merren me historinë e gomarëve dhe hajvanëve që ka republika”… Por shoqja Miranda, që na drejtonte, iu vërsul e ia mori erzin: “ Tani që po ikën e na le, or plak i djallit, dashke të na vesh edhe zjarrin!” Pastaj ajo u drejtua nga ne duke na kërcënuar: “Pa i nxirrni përsëri dosjet nga thasët! Ato janë shkresa sekrete, duhen ruajtur përgjithnjë!”
Unë hapa grykën e thesit tim, nxora një letër të daktilografuar dhe e lexova me zë të lartë:
KOMITETI EKZEKUTIV I KESHILLIT POPULLOR TË RRETHIT TË LUSHNJËS
Seksioni Komunal
MINISTRISË SË EKONOMISË KOMUNALE
T I R A N Ë
Me anën e kësaj shkrese ju njoftojmë sa poshtë vijon:
E para. – Kali plak gri, ngjyrë miu, na ngordhi. Dërgoni urgjentisht 20.000 lekë të blejmë një kalë të ri, përndryshe plehrat do të mbeten rrugëve.
E dyta. – Në mungesë të dokut ngjyrë bezhë për të qepur rrobat-uniformë për fshesaxhinjtë dhe karrocierët e komunales, blemë një basmë të kombinatit “Stalin” me lule portokallije. Jemi bërë gazi i qytetit. Të gjithë tallen me ne. Ju lutemi na udhëzoni si të veprojmë.
Firma.
Ne të gjithë u gajasëm, por e premë gazin se kishim frikë mos na zemërohej shoqja Miranda…”He, shoqja sekretare,- i tha xha Thanasi,- ju lutemi na udhëzoni si të veprojmë!…”
Ndërkohë, kisha nxjerrë një tjetër xhevahir nga thesi. Lexova shkresen : “Ato koqet e verdha të kininove që na dërguat, i morëm e i shpërndamë…Ato koqet e kuqe ua dhamë falas grave 7-zëna” (ishte fjala për gratë shtatzëna)…
Nuk mbaj mend të kem qeshur ndonjëherë aq shumë në jetën time sa atë muaj që punuam në arkivën e Komunales. Bisedat, humori dhe anekdotat e stisura rreth eprorëve vazhduan për vite të tëra në zyrat tona, sigurisht të treguara nën zë…
Mandej, fati e pruri të emërohesha ekonomiste në Ministrinë e Financave. Dhe, më e pabesueshmja qe se ish-ministri i Komunales u emërua edhe ai zëvendës-ministër i Financave. Kur e takova një ditë rastësisht në korridorin e ministrisë së re, ia kujtova pastrimin e arkivave. Ky ishte “sebepi” që u thirra urgjentisht në zyrën e drejtorit tim, i cili nuk e fshihte dot zemërimin : “Shoqe…, këtu ka vetëm punë e disiplinë të fortë…Me zv-ministrin lidhem vetëm unë dhe…për probleme të caktuara.” Më tej ai ma bëri të qartë se këtu nuk hahej bukë nëpër zyra, nuk bisedohej korridoreve dhe se punohej edhe jashtë orarit kur afrohej koha e dorëzimit të buxhetit të shtetit.
Ditë më vonë kuptova se këtu as që bëhej fjalë për buzëqeshje, le pastaj të bëje humor…e rrethuar nga zyrtarë të veshur krëk, të heshtur e seriozë pas syzeve të shtrenjta me skelete ari.
Por, sic thuhet, e qeshura përhapet si sëmundje ngjitëse. Kjo ndodhi në mbledhjen e kolektivit të Ministrisë, ku diskutohej rreth direktivave për hartimin e buxhetit të ri. Secili duhej të fliste për sektorin që mbulonte, në frymën e kritikës dhe autokritikës, të plotësimit të planit buxhetor dhe, më e rëndësishmja, të bënte propozime konkrete për shkurtime financimesh për komitetet ekzekutive të rretheve. Sigurisht, nuk mund të rrinte pa diskutuar edhe portieri i ministrisë, Tomori, i cili, pa pritur radhën e fjalës së drejtorëve të nderuar apo shefave eprorë, ngriti dorën i pari.
Tomori i përkiste grupit të nëntëmijëshit, oficerëve që u zhveshën nga rroba ushtarake. Le të kthehemi mbrapa në kohë tek viti kur Shqipëria vendosi marrëdhëniet e para tregtare me Turqinë. Vapori i parë turk, i ngarkuar me mallra, po i afrohej portit të Durrësit. Tomori, duke ndjekur me dylbi lëvizjen e vaporit që nga brigjet e Durrësit, u dha urdhër ushtarëve të tij: “Bjerini turkut, se na zaptoi!…” Predhat e para goditën kiçin e vaporit. U dha alarmi. Alarm, si pasojë e të cilit Tomori përfundoi te dera e hekurt e ministrisë sonë.
“ Me diskutimin tim,-tha Tomori,- unë përfaqësoj masën popullore, së cilës duhet t’i dëgjohet fjala së pari. Dhe populli, për kursimin e parave ka një fjalë të urtë: “Shtri këmbët sa ke jorganin.” Po i shtrive më shumë, këmbët mbeten përjashta, po është ftohtë, dimër, s’ka dru, s’ka qymyr. Atëhere do ta zbresësh jorganin më poshtë që të ngrohësh këmbët. Si rezultat i kësaj, do të zbulohet gjysma e trupit e do të mbërdhish. Atëhere do ta ngresh prapë jorganin të mbulosh shpatullat. Po këmbët?…”
Lëvizjen e jorganit lart e poshtë portieri kursimtar e përsëriti nja njëzet herë duke shkaktuar tek të pranishmit në sallë të qeshura të mbytura, me shkundje supesh dhe duke fshehur fytyrën pas kurrizit të njëri-tjetrit se hajde t’i dilje para Tomorit pastaj. Një drejtor sektori, ulur pranë meje, theu lapsin më dysh dhe e flaku në dysheme, ngaqë s’përmbante dot të qeshurit. Veç…, gjithë kjo e qeshur nuk do të delte për mirë, pas asaj që do të tregoj më poshtë.
Afroi muaji i përpunimit të raportit të buxhetit. Kryeministri, atë kohë M.Shehu, nuk lejonte jo një ditë, por as pesë minuta vonesë në dërgimin e dosjes përfundimtare të buxhetit. Ekonomistët, që harronin familjet, nganjëherë edhe drekën, të mobilizuar, punonin në ethe. Zyrat e ministrisë oshëtinin nga telefonatat, kërcitja e makinave llogaritëse dhe e makinave të shkrimit. Kur përfundonte raporti, atë e lexonin të gjithë drejtorët me radhë, nga frika se mos shpëtonte ndonjë gabim, jo fjalë (kuptohet), por asnjë shenjë pikësimi…Të gjeje pastaj vrimë ku të futeshe nga kryeministri. Së fundi raporti lexohej nga ministri i Financave, firmosej prej tij dhe e merrte në dorëzim zyra e protokollit për ta nisur me postën sekrete. Ne, të vegjëlit, as që e shihnim ndonjëherë me sy raportin, megjithëse kontribuonim aq shumë për atë të shkretë.
E shtyrë nga kërshëria, prita para derës së zyrës dhe e ndoqa nëpër korridor shefen e protokollit, e cila sapo doli nga zyra e ministrit. Iu luta vetëm sa ta shihja pak dosjen me raportin. Ajo, pa u përgjegjur, shpejtoi hapat e u mbyll sakaq prapa hekurave të zyrës së saj. Unë futa fytyrën midis dy hekurave e iu luta përsëri: “Mos ki frikë, nuk e prek, vetëm sa ta lexoj shkresën përcjellëse.” Disa gra kureshtare në korridor, ndalën hapat, edhe ato. Ajo na e zgjati në largësi shkresën dhe unë lexova, si gjithnjë, me zë të lartë:
“K R Y E T H A R I T TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Shokut Mehmet Shehu”
Duke mos u besuar syve, lexova edhe njëherë rrokje për rrokje, ashtu siç vepruan edhe të tjerët. Të kishte rënë tavani për tokë, a ndonjë tërmet shkatërrues, ishte pak për të shkaktuar atë panik, frikë e alarm ndër punonjësit me syze e pa syze, duke filluar që nga portieri e deri tek titullari. Në historinë e ministrisë, për herë të parë kishte shpëtuar një gabim, siç dukej jo dhe aq i vockël e i papërfillshëm. Daktilografistja, vetëm për një “H” e kishte cilësuar kryeministrin si “kryetharë!”
Ndërsa po shtypej me urgjencë një shkresë e re, nëpunësit kishin dalë nga zyrat e tyre në korridor duke pëshpëritur: “Si është e mundur?”, “Ky është kulmi!”, “Kush e gjeti gabimin?”, “Kur?”, “Ku?”, “Hapni, more, mirë sytë, që ju shplaftë…”
– Të kërkon ministri,- më thanë, tek po rrija si e trullosur në tryezën time.
Trokita me druajtje në zyrën e tij, por sekretarja ma hapi përnjëherë dhe u ndodha përballë një fytyre të verdhë ku mjekra vazhdonte të dridhej akoma. Ai më zgjati dorën e tij të thatë e të ftohtë.
– Ju shoqe…, falë syrit tuaj vigjilent…, na keni shpëtuar nga një e keqe e madhe…Nuk dimë si t’jua shpërblejmë…
Fjalët e ministrit delnin gjysma-gjysma, nga që vazhdonte akoma të ishte i shokuar.
– Fare thjesht,- u përgjigja unë,- që tashti e kisha marrë veten,- më lejoni të lexoj arkivin e ministrisë…
– Nuk lejohet! – u hodh e tha sekretarja,- ka dokumente sekrete!
– Të lejohet shoqja të futet në arkiv!,- urdhëroi ai.
Të nesërmen, duke ecur pas përgjegjëses së arkivit, zbrita në disa shkallë të ngushta e të errëta e dola në një sallë të madhe në katin e dytë. Edhe këtu tavani ishte i ulët sa të merrte frymën. Hodha përreth një vështrim plot kurreshtje…Me mijëra dosje me kapakë të zverdhur nga koha, të vendosura në rafte, përtokë apo mbi tavolina. Gjithandej vinte era kalbësirë, era molë dhe një erë karakteristike e letrës së vjetruar. Gruaja shoqëruese u largua dhe unë mbeta e vetme midis këtij mali me letra kundërmuese.
Zgjata dorën, mora një dosje, i shkunda pluhurin dhe e hapa. Lexova:
MINISTRISË SË FINANCAVE
T i r a n ë
“ Ju njoftojmë se kali plak, gri, ngjyrë miu, na ngordhi…”
Kësaj here nuk qesha. As nuk provova të hapja dosje të tjera. Era e kalbësirës më dogji fytin e më solli krupën. U ktheva nga kisha ardhur dhe, duke ngjitur shkallët spirale, kujtova sërish xha Thanasin tonë të Komunales dhe mendja më shkoi tek shkrepësja e tij. Boston, 2008