Shkup, 14 korrik 2022 – Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të enjten u zhvillua debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Seanca me diskutime pritet të vazhdojë gjatë së premtes, pasi një numër i madh i deputetëve është paraqitur për diskutim.
Të dyja vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, identitetit dhe së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, qe gati dy javë po organizon protesta. Para ndërtesës së Kuvendit, edhe të enjten janë mbledhur protestues me flamuj e pankarta në duar.
Deputetëve të Maqedonisë së Veriut me një fjalim iu drejtua edhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.
Ajo tha para deputetëve se “është koha për marrjen e vendimeve të mençura për ta çuar vendin drejt integrimit evropian”, ndërsa siguroi deputetët se me propozimin e modifikuar francez nuk rrezikohet gjuha maqedonase, deklaratë kjo që u prit me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare dhe fishkëllima nga deputetët e opozitës.
“Kam dëgjuar me vëmendje për shqetësimin tuaj për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuha e juaj. E përsëris, nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuhë e juaja dhe ne plotësisht e respektojmë. Në propozimin e modifikuar qëndron gjuha maqedonase pa kualifikime nga Bashkimi Evropian. Protokolli respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Parimi i vetë-identifikimit është me rëndësi të veçantë për të gjithë ne. Mund të llogarisni në mua”.
“Si kryetare e KE-së, dua t’ju siguroj se procesi i anëtarësimit do t’i respektojë rreptësishtë parimet evropiane dhe standardet”, deklaroi presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, e cila paraprakisht u takua me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Deputetët duhet të miratojnë një konkluzion prej pesë pikash që është hartuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet.
“Duke u nisur nga interesat kombëtare strategjike për anëtarësim në BE, Kuvendi obligon Qeverinë t’i vazhdojë negociatat me BE-në me qëllim të zhbllokimit të procesit integrues dhe të miratohet korniza e bisedimeve që përmban parimet evropiane”, thuhet në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
“Qeveria obligohet që përmes delegacioneve, në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, ka deklaruar Jovan Mitreski, kryetar i GP të LSDM-së.
Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase, e cila kontestohet nga Sofja, me pretendimin se para vitit 1945 ajo ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.
Opozita maqedonase, e udhëhequr nga partitë VMRO DPMNE dhe E Majta, mbetet në qëndrimin se propozimi “rrënon” identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me presidenten e KE-së, Von del Leyen, përsëriti qëndrimin se propozimi është i dëmshëm pasi në një protokoll që pritet të nënshkruhet me Sofjen, do të negociohet edhe për aspektet historike dhe gjuhën.
“Këtyre ditëve do të nënshkruhet një dokument që do të quhet protokoll dhe në të do të flitet për gjithçka, për shekullin mesëm, për shekullin e XVIII, XIX, i kujt ishte ky apo ai personalitet historik. Do të flasim se si në shekullin e XX do të asimilohet populli maqedonas”, tha Mickoski.
Sipas VMRO DPMNE-së, propozimi nuk do të kalojë në momentin kur do të nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.
Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjidhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.
“Nuk është koha që të ndahemi si shqiptarë, maqedonas, turq, romë, serbë, vlleh e kështu me radhë. Është koha që me maturi, mençuri, me argumente konkrete, me një debat racional të mbështetur nga argumentet, t’i drejtohemi opinionit se këto janë dokumentet dhe kjo është alternativa më e mirë që na është ofruar deri më tani dhe se Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë alternativë tjetër përpos realizimit të këtij interesi strategjik”, tha Arbër Ademi, kryetar i Grupit Parlamentar të BDI-së.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE tash e 17 vjet. Edhe pse zyrtarët evropianë kanë dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Bullgaria, si vend i BE-së, i ka vënë veto procesit.
Debati në Kuvend u përcoll me protesta para Kuvendit, por Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte ndërmarrë masa që në orët e paradites të së enjtes duke shtuar forcat e rendit përreth ndërtesës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup.
(Isuf Kadriu, REL)