Tiranë, 5 dhjetor 2022 – Ilir Alimehmeti është tërhequr nga balotazhi për Tiranën përballë Belind Këlliçit. Në një konferencë të përbashkët për medie me Belind Këlliçin, Alimehmeti deklaroi se anëtarësia foli në favor të Këlliçit. Ai tha se shenja e parë e qytetarisë është njohja e votës.
“Anëtarësia foli në favor të kandidatit Belind Këlliçi. Kjo është shenja e parë e qytetarisë. Të njohësh votën. Falenderoj këdo që më ka mbështetur. Do vazhdoj të punoj për ju për zgjedhjet e 14 Majit”, tha ai.
“Të falenderojmë çdo vëzhgues për një proces që shkoi pa asnjë vërejtje. Kam qenë i bindur që ishte anëtarësia ajo që duhet të shmangej”, tha Alimehmeti.
Ndërkaq Këlliç deklaroi se PD do të aplikojë modelin amerikan dhe Ilir Alimehmeti do të jetë krahu i tij i djathtë në fushatën zgjedhore dhe nënkryetar i ardhshëm i bashkisë së Tiranës, nëse fiton PD-ja më 14 maj.
“Ne sot do të adoptojmë garimin amerikan presidencial të garës. Unë kam kënaqësinë më të madhe sot të them që nuk jam më unë por jemi ne, të prezantoj Ilir Alimehemtin si krahun tim të djathtë në fushatë dhe nënkryatarin e bashkisë kur të fillojmë më 14 maj”, tha Këlliçi.
“Ky është një ogur i mirë për klasën politike shqiptare dhe për demokratizmin e forcave politike. Jam krenar që kam qenë pjesë e primareve”, shtoi ai.
Këlliçi e lavdëroi procesin e votimeve në Primaret. Ai theksoi se me këtë proces PD-ja vendosi një standard të ri në politikën shqiptare.
“Kam përshtypjet që dhe më optimistët janë të befasuar nga ky standard që vendoset për herë të parë në demokracinë shqiptare”, theksoi ai.
(r.m.)