Kryetar i ri i shoqatës u zgjodh z. Dritan Matraku
Nga dr. Sadik Elshani
Fotot nga Eva Dori, gazetare
Ditën e shtunë, më 29 prill, shoqata “Bijtë e shqipes” në Philadelphia e mbajti mbledhjen e saj të përgjithshme, në të cilën u analizua puna për periudhën katërvjeçare, 2019 – 2023. Në mbledhjen e përgjithshme, ku mund të marrin pjesë të gjithë anëtarët e shoqatës, bëhet raportimi dhe analiza për periudhën e caktuar, anëtarët diskutojnë për veprimtaritë e zhvilluara, sukseset dhe të metat – si duhet ecur përpara dhe si duhet të organizohemi më mirë. Sipas statutit të shoqatës sonë, Mbledhja e Përgjithshme, raportimi dhe dhënja llogari para anëtarëve duhet të mbahet një herë në vit, ndërsa çdo të dytin vit bëhen zgjedhjet, ku zgjidhet Këshilli Drejtues dhe kryetari i shoqatës. Por, siç e dimë të gjithë, kjo periudhë përkoi edhe me periudhën e pandemisë, prandaj, duke i respektuar masat parandaluese, ishte e pamundur që të mbanim mbledhjet tona të rregullta. Këshilli Drejtues është mbledhur herëpashere dhe anëtarët janë njoftuar përmes rrjeteve sociale, e-maile e telefonata.
Raportin për punën e shoqatës për këtë periudhë katërvjeçare e mbajti kryetari, z. Bujar Gjoka. Z. Gjoka kishte përgatitur një raport të hollësishëm, duke u përqëndruar në këto pika:
– Ecuria e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, Philadelphia
– Veprimtaritë e zhvilluara në shoqatën tonë gjatë kësaj periudhe
– Bashkëpunimi Shoqatë -Komunitet
– Bashkërendimi dhe bashkëpunimi i shoqatës me organizatat e tjera.
– Puna me godinën e re të shoqatës.
– Ndihma humanitare dhe ndërtimi i dy shtëpive për familjet e dëmtuara nga termeti i vitit 2019 në Shqipëri.
– Anëtarësimet dhe fokusi i punës së shoqatës në të ardhmen.
Shkolla shqipe “Gjuha jonë”
Një veprimtari e vazhdueshme që na bën krenarë e na dallon nga shoqatat tjera, është funksionimi i rregullt i shkollës shqipe. Kjo shkollë i jep edhe kuptimin e ekzistencës (të qënit) së shoqatës sonë, e cila është themeluar me misionin për të ruajtur gjuhën, kulturën e trashëgiminë tonë kombëtare. “Kam kënaqësinë të shpreh këtu para jush se shkolla shqipe ka patur një rritje në numrin e nxënësve që e frekuentojnë atë, cilësinë e mësimdhënies si dhe shtrirjen geografike të saj” – i njoftoi të pranishmit, z. Gjoka. Gjatë pandemisë, sikurse të gjitha shkollat në Amerikë edhe shkolla jonë pati një ndërprerje të shkurtër, mars – qershor 2020. Ndërsa në shtator të vitit 2020 mësimi filloi online. Tani ka kohë që shkolla i zhvillon mësimet në mjediset e shoqatës sonë (5 klasa), por mësimi online (4 klasa) është duke vazhduar për nxënësit tanë që jetojnë në qytete e shtete tjera të ShBA-ve. Ne jemi krenarë me mësueset tona: Rajmonda Bardhi, Rudina Bani, Irini Zenelaj, Mimoza Sotiri, Afërdita Muzhaqi, të cilat me përkushtim e profesionalizëm janë duke e kryer misionin e tyre të shenjtë arsimor e atdhetar. “Në aktivitetet e rëndësishme të shoqatës nxënësit e shkollës sonë kanë moderuar programin e aktiviteteve si dhe nxënësit kanë shfaqur program të shkurtër artistik. Paraqitja e programit në ceremonitë e ngritjes së flamurit tonë kombëtar me rastin e 110 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 15 Vjetorit të Pavarsise së Kosovës në godinen e Bashkisë sëPhFiladelphias i dhanë një vlerë e bukuri këtyre dy festave të rëndësishme të kombit tonë. Për më shumë se 6 vite shkolla jonë merr pjesë aktive në Paraden e Thanksgiving-ut në Northeast,Philadelphia, ku na përfaqësojnë denjësisht”, theksoi z. Gjoka. Vitin e ardhshëm shkolla jonë e feston njëzetvjetorin e saj, prandaj edhe përgatitjet duhen filluar për një festim madheshtor. Nuk ka nevojë të zgjatemi më tpër këtu për punën e shkollës sonë, sepse puna e saj e suksesshme është pasqyruar në shtypin e diasporës dhe reportazhet e bukura të përgatitura me plot profesionalizëm nga gazetarja, anëtarja e shoqatës sonë, znj. Eva Dori.
Veprimtaritë e zhvilluara në shoqatën tonë gjatë periudhës 2019-2023
“Veprimtaritë e kryera nga shoqata kanë qenë te shumta e të larmishme.
– Përkujtime dhe festime të ngjarjeve të mëdha të historisë së Shqipërisë si, Lidhja e Prizrenit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditën e Pavarësisë së Kosovës,
– Përurime librash të autorëve shqiptarë që jetojnë në Philadelphia apo në shtete të tjera të ShBA-ve.
– Veprimtari për Ditën e Verës, Festat e fundvitit; veprimtari për shkollën shqipe; datëlindjet e nxënësve të shkollës; takimet me bizneset; pjesëmarrja me nxënësit e shkollës “Gjuha jonë” në “Paraden e Thanksgiving-ut” që zhvillohet në Northeast Philadelphia; pjesëmarrja në shkollat e universitetet ku studentët shqiptarë paraqiten me simbolet tona kombëtare në Ditën Ndërkombëtare që organizohet nga institucionet përkatëse arsimore.
– Përkujtime dhe nderime të figurave të ndritura të kulturës dhe historisë sonë kombëtare (Heroit Kombëtar -Skenderbeut, Nolit, Konicës, Në Terezes, etj.).
– Organizimi festiv i përvitshëm i Ditës së Flamurit dhe ngritja e tij në qendër të Philadelphias, të Ditës së Mësuesit dhe të Gruas.
– Organizimi i përvitshëm i piknikut vjetor të komunitetit shqiptar, etj.
Numri i veprimtarive gjatë kësaj periudhe, sipas viteve, ka qenë:
– Në vitin 2019 janë zhvilluar rreth 40 veprimtari
– Në vitin 2020 janë zhvilluar 10 veprimtari – (pandemia Covid – 19)
– Në vitin 2021 janë zhvilluar 10 veprimtari – (pandemia Covid – 19)
– Në vitin 2022 janë zhvilluar 22 veprimtari
Në këtë tremujor të vitit 2023 janë zhvilluar 6 veprimtari ku për herë të parë u realizua ngritja e flamurit të Kosovës në godinën qendrore të Bashkisë së Philadelphias (City Hall), ku pjesëmarrës ishte ambasadori i Republikës së Kosovës sëbashku me gjithë stafin e Ambasadës në Uoashington DC”.
Në vazhdim z. Bujar Gjoka i falenderoi të gjithë ata veprimtarë që e bënë të mundur organizimin e ketyre veprimtarive: “Sigurisht që të gjithe këto veprimtari kanë kërkuar shumë punë, kohë, përkushtim, dedikim dhe bashkëpunim midis anëtarëve të kryesisë dhe veprimtarëve të tjerë të shoqatës. Unë dua të falenderoj të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kanë kontribuar në realizimin me sukses të këtyre veprimtarive. Falenderoj z. Dritan Matraku, Znj. Rudina Bani, Ali Sopi, z.Haki Collaku, z. Mexhit Koboci, e z Bujar Çela për ndihmën e dhënë në organizimin e mbrëmjeve të flamurit, 7-8 Marsit, pavarësisë së Kosovës dhe piknikut veror. Në veçanti dua të falenderoj z.Llazar Vero, Vlashi Fili, Sadik Elshani e Tajar Domi për ndihmën dhe mbështetjen që kanë dhënë në organizimin e veprimtarive tek godina e shoqatës, si me përgatitjet e materialeve për referim përgatitjen e sallës, si dhe shkrimet për publikim në gazetë, ëebsite dhe facebook. Sigurisht që këto veprimtari nuk do të kishin bukuriëe e tyre pa pjesëmarrjen e komunitetit. Një punë të mirë në këtë drejtim kanë dhënë edhe anëtarët e shoqatës: Hys Hasa, Eqerem Murataj, Enver Parllaku, Lutfi Brami, etj. Këto veprimtari nuk do të ishin realizuar në këtë numër pa mbështetjen financiare të anëtarëve të komunitetit tonë. Emrat e dhuruesve te aktiviteteve të zhvilluara janë publikuar herëpashere në mjediset e shoqatës dhe faqen tonë në Facebook.
Në dy vitet e fundit kemi patur një rritje shumë cilësore të veprimtarive tona. Njoftimet kanë qenë më profesionale, në disa veprimtari është ndryshuar rutina, duke futur elementë të rinj festiv, pasqyrimi i festave me video dhe foto ka qenë më profesional, shkrimet kanë qenë cilësore dhe pasqyrimi i tyre në gazetat “Ilyria”, “Dielli” e “Diaspora”, rrjetet sociale, Facebook dhe Istagram ka qenë shumë profesional. Kronikat dhe dokumentarët e realizuara e publikuara nga gazetarja Eva Dori janë mirëpritur jo vetëm nga komuniteti ynë këtu në Philadelphia, por edhe nga dashamirës të shoqatës sonë në shtetet e tjera”. Sa i përket veprimtarive sportive, gjate vitit 2022, ekipi i futbollit të komunitetit tonë mori pjesë në “Philadelphia Unity Cup”, të organizuar nga Bashkia e Philadelphias. Ekipi ynë u rendit në vendin e tretë.
Në tetor të vitit 2020 u festua edhe 20 vjetori i shoqatës sonë. Me këtë rast u organizua një ekspozitë me fotografi që pasqyronin rrugëtimin njëzetvjeçar të shoqatës, si dhe një mbrëmje solemne me darkë e muzikë, me pjesëmarrjen e shumë anëtarëve dhe miqve të shoqatës sonë. Me këtë rast z. Vlashi Fili ka përgatitur librin “Rrugëtimi ynë ndër vite”. Në përgatitje e sipër është edhe një fotoalbum me fotografi cilësore, shoqëruar me shënime të shkurtëra.
Bashkëpunimi shoqatë- komunitet – biznes dhe bashkëpunimi me organizatat dhe institucionet e tjera
Kohëve të fundit është shtuar bashkëpunimi i shoqatës me bizneset shqiptare. Wshtë ky një bshkëpunim i ndërsjellë që i ndihmon të gjitha palët. Shoqata ka nevojë për ndihmat materiale të biznesit shqiptar dhe u ndihmon atyre duke e propaganduar biznesin e tyre në komunitet. Tani në Philadelphia numërohen rreth 400 biznese të lëmive të ndryshme:kompani ndërtimi, pastrimi, restorante, klinika dentare, kompani sigurimesh, etj. Në këtë periudhë shoqata ka pa pasur një bashkëpunim të frutshëm edhe më shumë institucione e organizata të tjera: Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikane, Akademinë Shqiptaro – Amerikane te Shkencave dhe Arteve, Bashkinë e Filadelfias, Qarkun e Kukësit, Qarkun e Durrësit, shkollat shqipe në qytetet e tjera të Amerikës, shkollat shqipe në Greqi e Itali. Për punën e saj të mirë për ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditive tona kombëtare shoqata është nderuar me shumë certifikata mirënjohjeje.
Një veprimtari, një aksion mjaft i rëndësishëm ka qenë edhe mbledhja e fondeve për të ndihmuar familjet në nevojë, të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 që goditi Shqipërinë (Durrësin me rrethinë). I tërë komuniteti u angazhua për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë. Me këtë rast u mblodhën 83000 dollarë dhe me këto mjete u ndërtuan dy shtëpi për dy familje që kishin mbetur pa kulm mbi kokë në fshatin Ishëm të Durrësit. Për këtë fushatë humanitare dhe përurimin e dy shtëpive është botuar një shkrim i detajuar, prandaj nuk ka nevojë që të zgjatemi më tepër.
Puna për meremetimin e godinës së re
Në godinën e tanishme që e ka shoqata zhvillohen shumë veprimtari, por ja që kjo shtëpi është tepër e vogël për t’i plotësua nevojat tona, sidomos vijimin normal të punës së shkollës shqipe. Kishte kohë që po planifikonim për të blerë një godinë më të madhe, dhe ja rasti na erdhi në vitin 2018. Shoqata organizoi një fushatë këmbëngulëse për mbledhjen e fondeve dhe arritëm që të blejmë një godinë me vlera historike. Por, kjo godinë ka nevojë për riparime të rrënjësishmë, e tëra duhet rinovuar. Për këtë qëllim shoqata ka hapur një fushatë fondembledhëse dhe gjer më tani janë tubuar mbi 48000 dollarë. Fillimisht, në vitin 2019 puna filloi me entuziazëm për riparimin e godinës dhe u kryen disa punë emergjente. Por, meqenëse kjo është një godinë historike, atëherë duheshin siguruar edhe lejet përkatëse, projektet për ta vazhduar punën. Tani të gjitha lejet janë miratuar nga bashkia e Philadelphias dhe puna ka filluar me ritme të shpejta. Në periudhën në vazhdim ky do të jetë preokupimi ynë kryesor për ta kryer këtë projekt jetik për shoqatën tonë. Si gjithmonë gjer më tani edhe këtë radhë do të dalim faqebardhë, falë angazhimit të veprimtarëve të shoqatës dhe tërë komunitetit tonë. Zoti Gjoka i falenderoi të gjithë ata që kanë punuar me përkushtim: “Për punën vullnetare që kanë bërë çdo fund jave në këtë objekt dua të falenderoj këtu para jush z. Haki Çollaku, Petrit Zanaj, Idajet Ago, Gëzim Hasani, Bashkim Bërdufi, Sotir Goxhaj etj si dhe bizneset që kanë ndihmuar me bazë materiale dhe punën e tyre; Ervin Rrokaj, Eldi Gjocaj, Rubin Kazazi, Blerim Cimaj, Lulzim Stafa, Shpëtim Omeri, Festim Rucaj, Klodian tota, Drilon Rada etj.
Falenderoj të gjithë dhuruesit e deritanishëm dhe bizneset që kanë marrë përsipër kryerjen e disa prej punimeve në këtë objekt. Dëshiroj të falenderoj z. Arti Ismailianji, i cili është “the General Contractor” për këtë projekt për gadishmërinë e treguar dhe këmbënguljen për realizimin në kohë të punimeve”
Financat e shoqatës
Raportin financiar e paraqiti z. Petrit Zanaj, shef i departamentit të financava të shoqatës. Z. Zanaj kishte bërë një punë shumë profesionale, duke bërë një Poëerpoint paraqitje me tabela e grafikë, ku në mënyrë të saktë e të qartë ishin paraqiturat të ardhurat dhe shpenzimet e shoqatës. Sipas z. Zanaj burimet e të ardhurave të shoqatës vijnë nga anëtarësia, pagesat/donacionet që bëjnë prindërit për shkollen dhe dhurimet/donacionet që bëjnë bashkatdhetarët e bizneset shqiptare. Arka e shoqatës sonë drejtohet nga njerëz të ndershëm e shumë profesionalë. Sistemi i kontrollit të fondeve është shumë rigoroz dhe jepet llogari për çdo qindarkë. Sipas z. Zanaj shoqata jonë është e konsoliduar mirë financiarisht, jo me përfitime të mëdha, por me të ardhura solide e të qëndrueshme. Thënë shkurt, i mbulojmë shpenzimet tona dhe mbarëvajtjen e punës së shoqatës. Viteve të fundit ka një rritje të donacioneve, sidomos atyre për blerjen dhe meremetimin e godinës së re.
Plane për të ardhmen
Në një pjeë të mirë të raportit të z. Gjoka dhe gjatë diskutimeve e bisedave tonau u shprehën dëshirat dhe synimet tona që shoqata jonë të zgjerohet, të zhvillohet dhe të forcohet edhe më shumë në të ardhmen, duke mbajtur gjithmonë lart e më lartë flamurin e shenjtë të shqiptarizmit. Jemi të vetëdijshëm që bashkësia jonë shqiptare në Philadelphia është e bagatuar me një potencial të madh njerëzor, intelektual e profesional. Në mesin tonë kemi talentë të profileve të ndryshme, njerëz të përkushtuar dhe sëbashku mund të bëjmë edhe më shumë. Për t’i përmbushur këto synime, për t’i arritur këto qëllime duhet një angazhim më i madh nga të gjithë bashkatdhetarët, sidomos të rinjtë tanë. Prandaj, duhet të bëjmë përpjekje maksimalë për t’i afruar të rinjtë tanë dhe për ta shtuar anëtarësinë e shoqatës sonë. Shoqata ka mjaft plane ambicioze dhe vënja në përdorim sa më të shpejtë të godinës së re do të krijojë një klimë shumë të volitshme për rivitalizimin e shoqatës sonë, duke shtuar gamën e veprimtarive dhe angazhimeve tona.
Zgjedhja e Këshillit Drejtues dhe kryetarit të shoqatës.
Kjo Mbledhje e Përgjithshme ishte edhe mbledhje zgjedhore. Me votim të fshehtë u zgjodh Këshilli i ri Drejtues prej pesëmbëdhjetë anëtarësh, ndërsa ky këshill sipas statutit të shoqatës sonë e zgjedh kryetarin. Kryetr i ri i shoqatës u zgjodh z. Dritan Matraku. Z. Matraku është veprimtar shumëvjeçar i shoqatës dhë anëtar i Këshillit Drejtues e nënkryetar i parë për disa mandate. Ai është një njeri pozitiv me vizion të qartë për të ardhmen e shoqatës dhe të shpresojmë se me përkrahjen e anëtarëve e veprimtarëve tanë, shoqata jonë do të vazhdojë me sukses misionin e saj atdhetar e kulturor dhe të qëndrojë si njëra ndër shoqatat më të organizuara e më aktive shqiptare, jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën shqiptare. Të jemi të bashkuar dhe të zhvillojmë një veprimtari të organizuar si bashkësi shqiptare. Të ruajmë gjuhën, kulturën dhe traditat tona të shkëlqyera. Të jemi gjithmonë të bashkuar, se kështu na thërret Himni ynë Kombëtar, se kjo ishte edhe porosia e fundit që na la Skenderbeu para se të kalonte në botën e lavdisë së përjetshme.
Suksese e punë të mbarë!
Philadelphia, më 1 maj 2023
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.