Prishtinë, 19 gusht 2023 – Shoqata e Prokurorëve të Kosovës i ka quajtur shpifje deklarimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili i cilësoi institucionet e drejtësisë si “mbrojtëse të kastës së vjetër kriminale” në Kosovë. Kjo shoqatë eka thënë se Murati ka përdorur “gjuhë linçuese e shpifëse” ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit, në veçanti ndaj Prokurorit të Shtetit Milot Krasniqi.
“Sot (19/8/2023) në mesdite në rrjetin e tij social (i publikuar në portale) ministri Hekuran Murati ka bërë një postim duke përdorur gjuhë linçuese dhe shpifëse ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe në veçanti ndaj Prokurorit të Shtetit Milot Krasniqi duke e cilësuar se gjoja prokurori i rastit nuk ka bërë asnjë hap lidhur me rastin që ministri Murati e përmend në postimin e tij. Në këtë mënyrë i njëjti jo vetëm që shpif por njëkohësisht e vë në rrezik serioz hetimin në fazën në të cilën është, duke e marrë parasysh se epilogu i hetimeve merr kohë në grumbullimin, analizimin dhe vlerësimin e provave dhe fakteve, me qëllim të përfundimit me sukses të secilit rast”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve.
Kjo shoqatë e dënon gjuhën e përdorur nga ministri Murati, duke theksuar se secili prokuror në Kosovë “e kryen punën e tij me nder, integritet dhe fisnikëri, duke zhvilluar hetime të drejta të paanshme dhe në mënyre profesionale”.
“Shoqata e Prokurorëve, vlerëson se mbrojtja e pavarësisë dhe e autoritetit të prokurorëve është thelbësore dhe tejet e rëndësishme, andaj gjuha e tillë e përdorur është e patolerueshme dhe në kundërshtim me rregullat në një shoqëri moderne dhe demokratike. Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës jemi thellësisht të shqetësuar dhe një herit për të satën herë ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve me peshë në jetën politike, ekonomike, sociale të përmbahen nga përdorimi i gjuhës ofenduese, nënçmuese, denigruese dhe shpifëse ndaj secilit prokuror”, thuhet në reagim.
Ky reagim vjen pas akuzave të rënda të ministrit Murati ndaj sistemit të drejtësisë, sidomos ndaj Prokurorisë Speciale, e cila është e ngarkuar me rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“… luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet. E, për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja”, ka shkruar Murati në Fcebook, të shtunën.
(r.m.)