Tiranë, 1 prill 2021 – Gjuja fyese e kryeministrit Rama në fushatën zgjedhore e ka prekur edhe Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë.
Përmes një letre të drejtuar Presidentit të Republikës, Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjerdhjeve, Ilirian Celibashi, Avokatit të Popullit, ambasadores së SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca dhe një sërë institucioneve tjera të vendit, kjo shoqatë thotë se gjuha që përdor Rama është fyese dhe denigruese për personat me aftësi të kufizuara.
Në letër thuhet se kur shembull i diskriminimit vjen direkt nga kryeministri në komunikimin publik përkthehet në diskriminim nga administrata publike.
Kjo shoqatë kërkon që, në bazë të Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit në Shqipëri, të ndërmerren masa ndaj kryeministrit Rama.
Letra e plotë dërguar kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjerdhjeve, Ilirian Celibashi:
I nderuar Zoti Celibashi!
Më lejoni që në emër të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, e cila përfaqëson mbi 13500 familje të qytetarëve të verbër, të ju drejtohem nëpërmjet kësaj letër-ankese.
Qysh prej datës 25 Mars të gjitha partitë politike kanë filluar zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të datës 25 Prill. Me keq ardhje kemi vënë re se në retorikën politike të përdorur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Zoti Edi Rama vazhdimisht është përdorur një terminologji e pa përshtatshme, denigruese dhe fyese ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuar, konkretisht për qytetarët e verbër dhe ata që nuk dëgjojnë e nuk flasin.
Për hir të së vërtetës nuk është hera e parë që Zoti Rama përdor një gjuhë të tillë komunikimi që përmban terma të tillë pexhorativ ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuar. Kjo mënyrë e komunikimit publik e përdorur ndër vite ka hasur në kundërshtimin e fortë të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Observacionet përfundimtare për Raportin fillestarë të Shqipërisë (CRPD/C/ALB/1), konstatim i cili është shprehur konkretisht në seksioni III “Fushat themelore të shqetësimit dhe rekomandimeve”, pika 5, gërma d, ku thuhet se: Përdorimi i gjuhës poshtëruese përkundrejt personave me aftësi të kufizuara përgjatë ligjeve, politikave dhe diskutimeve publike. Ndërkohë që në pikën 6 po të këtij seksioni ndër rekomandimet e tjera komiteti rekomandon gjithashtu si vijon: Komiteti gjithashtu rekomandon që Shteti Palë të sigurojë që përdorimi i të gjithë gjuhës poshtëruese në lidhje me personat me aftësi të kufizuara të eliminohet nga të gjitha legjislacionet, dokumentet dhe diskutimet publike.
Ne jemi të vetëdijshëm për tensionin e lartë që përftohet nga një fushatë elektorale e tillë, por kurrsesi nuk mund të pajtohemi dhe nuk mund të jetë justifikim përdorimi i një terminologjie të tillë fyese dhe diskriminuese nga Kryeministri i një vendi i cili synon të jetë pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuar. Shqetësues është fakti që ka një vazhdimësi në paragjykimin, diskriminimin dhe fyerjen e personave që mbajnë poste publike të cilët janë kundër zotit Rama në opinione apo në krahë të ndryshëm politik. Përdorimi i krahasimeve diskriminuese nuk ngelet më në kontekst figurative, por real dhe të drejtpërdrejtë dhe dëmton direkt luftën e bërë prej 30 vitesh nga qytetarët me aftësi të kufizuar për të qenë të barabartë në shoqëri dhe jo të diskriminuar. Kur shembull i diskriminimit vjen direkt nga kryeministria në terminologjinë e komunikimit publik, përkthehet në një diskriminim shumë të fortë nga administrata publike.
Ju bëjmë thirrje në bazë të kodit zgjedhor dhe legjislacionit në Shqipëri,të ndërmerren masat dhe sanksionet përkatëse.
(r.m.)