Shoqata “Peja” nga Nju Jorku ndihmon 350 familje në nevojë

Prishtinë, 29 dhjetor 2022 – Të enjten në Pejë e rrethinë ka filluar shpërndarja e pakove ushqimore për 350 familje në nevojë. Paratë për këto pako janë mbledhur nga shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me iniciativë të Shoqatës Humanitare “Peja” nga Nju Jorku, raporton Telegrafi.

Shpërndarja e pakove është bërë me ndihmën e Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, dega në Pejë, e cila i ka përzgjedhur familjet në gjendje më të vështirë ekonomike e sociale.

Shqiptarët në Amerikë kanë grumbulluar 15, 350 dollarëpër këtë iniciativë. Shumica prej tyre janë kontribues të rregullt në të gjitha inciativat e shoqatës “Peja”, por edhe të shoqatave tjera të shqiptarëve në SHBA.

Përfaqësuesit e Shoqatës “Peja” në Nju Jork i falënderuan të gjithë anëtarët dhe miqtë e kësaj shoqate për kontributin e dhënë për këtë iniciativë humanitare.

Ndjenja e solidaritetit, ndihmës dhe atdhedashurisë për vendlindjen nuk ka munguar asnjëherë te anëtarësia e shoqatës humanitare “Peja” nga Nju Jorku.

Kjo shoqatë uron që Viti i Ri të jetë një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

(r.m.)