Ka një numër të konsiderueshëm familjesh shqiptare (pothuaj 150 familje) të vendosura në Manitoba të Kanadasë. Komuniteti ynë i vendosur atje, jo pak herë kanë qenë pjesë e lajmeve me karakter kombëtar.
Blerina Ruka
Festa e flamurit, shkolla e gjuhës shqipe, dëshira për të qenë pjesë e Muajit të trashëgimisë kulturore etj, kanë bërë jo pak zhurmë kur vjen puna për të na treguar jemi këtu edhe ne.
Hajdin Teneqja dhe familja e tij, janë nga shqiptarët e parë të vendosur në Winnipeg. Me gjithë dëshirën për të mbajtur gjallë pjesë nga identiteti ynë kombëtar, me shumë sakrifica ia kanë dal. Me një punë të palodhur për t’u mirëintegruar në jetën e Kanadasë, fillimet e biznesit dhe krijimin e shoqatës, sot ai dhe mjaft anëtarë të Shoqata shqiptaro-kanadeze, janë të gatshëm t’i ofrojnë ndihmë kujdo shqiptari që ka nevojë të trokasë diku për t’u njohur me jetën e re. Jo vetëm kryesia, por edhe anëtarësia kanë shprehur vullnetin e mirë për t’iu përgjigjur atyre që kanë nevojë të dinë cilat janë përplasjet e reja në emigrim.
Për këto dhe të tjera, në një intervistë me Albanian Montreal Press, Hajdin Teneqja do të flasë më shumë se çfarë ndodh në brendësi të shoqatës shqiptaret dhe më tej.
Si ka evoluar integriteti juaj në jetën kanadeze?
Familja ime dhe unë kemi emigruar në Kanada prej vitit 1999. Pothuaj një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës kur u dëbuan nga territori i tyre, Kanadaja u hapi dyert për t’i shpëtuar eksodit. Kaçanikun e kam lënë mjaft i ri, por ama jam munduar të gjej miq e vëllezër edhe në mërgim. Ka patur mjaftueshëm vështirësi jeta në fillimet e veta në Kanada, por prej fillimit jemi vendosur në Winnipeg të Manitobës. Gjuha, përshtatja me motin, kultura e re kanë qenë të vështira në fillesat tona. Sot jam baba i 5 fëmijëve të cilët janë të mirëintegruar në jetën e këtushme. Prej ardhjes sime këtu, kam gjetur një shoqatë modeste shqiptaresh që atëherë quhej Flamuri, por që sot gëzon emrin Shoqata shqiptaro-kanadeze. Edhe aktivitetet kanë qenë të pakta edhe pse dëshira ishte e madhe por kemi qenë një numër i vogël familjesh shqiptaret në Winnipeg (pothuaj 100 familje). Me vite shoqata është formësuar edhe me kontributin e madh të anëtarëve të ndryshem por kulmin e saj e pati me ardhjen kryetare të Kozeta Miliku. Doktoresha nga Korca bëri një punë të admirueshme lidhur me aktivizimin dhe realizimin e mjaft projekteve shqipfolëse në Manitoba duke i mëshuar idesë së hapjes së shkollës shqipe. Gjithmonë kam qenë aty për t’i ndihmuar edhe financiarisht, por ajo i solli një energji positive komunitetit. Sot jam Kryetar Nderi i shoqatës dhe u jam mirënjohës atyre që na kanë mbështetur në çdo kohë.
Cilat janë përparësitë që Bashkësia në Winnipeg i ka dhënë komunitetit shqiptar, na tregoni disa aktivitete?
Shoqata shqiptare në Manitoba ka shërbyer gjithmonë si një bazë serioze dhe konkrete për vënien në jetë të aktiviteteve me karakter kombëtar në provincë. Jemi munduar të bëjmë pak Shqipëri edhe me mundësitë tona. Nuk kanë munguar daljet nëpër piknike, ahengje tradicionale, festat e shumëpritura të flamurit, si të Kosovës dhe Shqipërisë, kemi realizuar takime familjare, aktivitete sportive e mjaft të tjera të cilat janë realizuar, theksoj vetëm me mbështetjen e njëri-tjetrit.
Çfarë rëndësia i ka dhënë qeveria e Manitobës ditës së pavarësisë së Kosovës?
Periudha e pandemisë që kaluam ishte mëse e mjaftueshme për t’u rrudhur në aktivitete dhe në mjaft projekte të reja. Kryesia e shoqatës gjithashtu pati një ndryshim e cila sot drejtohet prej Albiana Bugujevckit. Pothuaj strukturat shtetërore janë treguar dashamirës ndaj aktiviteteve tona më karakter kombëtar. Në Bashkinë e qytetit për çdo 28-nëntor, apo 17 shkurt varet flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës. Kur u shpall pavarësia e Kosovës, kam qenë aty i veshur me veshje kombëtare dhe me flamur. Patëm kërkuar nga Bashkia e qytetit të realizonim një manifestim lidhur me festën dhe ata na lejuan të festonim në mënyrën tonë nëpër kryeqytetin e Manitobës. Pra jemi ndjerë të pranuar edhe nga komunitetet e tjera dhe kjo është shumë për t’u vlerësuar.
A vazhdojnë të emigrojnë shqiptarët, cila është përkrahja juaj për to?
Patjetër, shqiptarët dhe të gjitha kombësitë e tjera janë gjithë kohës në lëvizje duke emigruar, ashtu sikundër ndodh edhe në Kanada apo konkretisht në provincën e Manitobës. Fati dhe puna e palodhur e ka dashur që unë të kem një kompani timen e cila herë pas here ka ndihmuar edhe iu është gjindur familjeve të reja dhe punonjësve të rinj shqiptarë. HT General Renovations Ltd e vendosur në Winnipeg ka qenë një portë e hapur dhe e sigurtë për këdo që ka trokitur. Edhe në Bashkësinë shqiptare jemi munduar të ndihmojmë familjet e reja që kanë emigruar për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave fillestare. Theksoj, nuk jam i vetëm në gjithë sipërmarrjen time për të qendruar afër komunitetit, ama kam qenë gjithmonë i gatshëm të jem në rradhët e para të atyre që kanë dhënë ndihmën për këdo. /Albanian Montreal Press/
*“Gazeta Diaspora Shqiptare”