Shoqata Skënderbej në New York ngre siparin e festës

Nga Kapiten(P) VERI TALUSHLLARI

E dielë, 26 nëntor 2023

Një sallë e madhe e mbushur me dritë dhe e veshur me ngjyrat e Flamurit Kuq e Zi në Restorant “Pine” në Bronx, në mesditë fillon të mbushet me shqiptarë të veshur për festë. Vijnë nga çdo qytet i Metropolit të Madh, New York-ut dhe nga New Jersey, Yonkers, Westchester e gjer nga Waterbury, Connecticut.

Tingujt e Hymnit Amerikan dhe Hymnit tonë të Flamurit jehojnë madhërishëm dhe më pas, ndërsa nga mikrofoni ushtojnë vargjet e mrekullueshme të Nolit:

…Me Skënderbenë u lavdërove,

Dhe në furtunë i fundmi u shove,

Me Malon prapë lart vrapove,

Yll i pavdekur për Liri!…

Dy vogëlushë, motër e vëlla, Serena e Noah, fëmijët e kolegut tonë dhe petagogut ushtarak, Kol.(R) Edmond Doda, vijnë rreth sallës duke valëvitur Flamurin, duke merituar duartrokitjet e festuesve.

Presidenti i Shoqatës, Prof.Assoc.Dr. Kol.(R) Gëzim Mustafaj përshëndet të pranishmit dhe vë në dukje rëndësinë e 28 Nëntorit , si një produkt kompleks shumë dimensional, shumë faktorial, pasi u arrit pas përpjekjesh, ngjarjesh politike, luftarake, kulturore e arsimore të shumta për vite e dekada me radhë, ku morën pjesë shqiptarët e të gjitha trojeve, nga Çamëria në Kosovë e nga Durrësi në Luginën e Preshevës.

Më tej ai vë në dukje se 28 Nëntori na kujton dhe ngjarje të tjera të mëdha në historinë e Kombit, Nëntorin e Parë të Skënderbeut më 1443, datëlindjen e Heroit Legjendar Adem Jashari më 1955 dhe daljen publike të UÇKsë më 1997.

Duke folur për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe koalicionin e madh Antifashist Botëror, folësi vuri në dukje kontributin e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Fjalë të mira për Shoqatën SKËNDERBEJ dhe bashkëpunimin e frytshëm me të tha dhe Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇKsë për ShBA, Kol.(L) Astrit Huskaj, dhe nga të pranishmit u prit me duartrokitje përshëndetja që ai solli nga eprorët e UÇKsë, Hashim Thaçi dhe shokët e tij që mbahen padrejtësisht në Hagë.

Salla mbushet me tingujt e këngëve e valleve tona të bukura, që luhen nga të rinj e të moshuar, por padyshim, stolia e gjerdanit të vallzuesve janë zonjat dhe zonjushat me veshjet e bukura shumëngjyrëshe ku mbizotëron e kuqja.

Por ka momente kur duhet pak qetësi. Kamarierët vendosin në tavolinë një tortë me pesë qirinj. Shoqja dhe mikja jonë, Blerta, një nga anëtaret aktive dhe pjesë e Bordit drejtues të Shoqatës, vajza e një ushtaraku shumë të nderuar të FARSh, të ndjerit Kol. Qazim Gjevori, befasohet dhe i mbushen sytë me lotë kur e ftojmë të bëjë traditën nën duartrokitjet tona dhe tingujt e “Shumë urime…”

E më pas edhe një urim tjetër: Kejsi, vajza bukuroshe e Presidentit të Nderit të Shoqatës, Kapiten i Rangut të Parë (P) Bujar Hasani, ka ardhur në festë me të fejuarin e saj, Keny-n, një simpatik amerikano aziatik që i luan lirshëm vallet tona. Janë njohur në Universitet, dhe të dy janë diplomuar shkëlqyeshëm.

Vështirë t’i sjellësh në këto radhë gjithë momentet e bukura që kaluam, por po sjell premtimin e një çifti të ri, Kelit dhe Monës, se nuk do të mungojnë në festat tona, madje do sjellim edhe djemtë. Apo falenderimin e Kol.(L) Isuf Karajt, që ka ardhur nga Tirana për vizitë në NY, në festë i ftuar nga Dirka e Astrit Xhakolli. Gjithçka i bëri përshtypje mikut tonë Isuf, ekzekutimi i Hymneve, muzika, vallet, interpretimi nga të gjithë festuesit i “Mora Fjalë” dhe “Xhamadani vija vija”, trokitja e gotave me kolegë që vinin dhe e takonin, fotot…”Faleminderit që më bëtë pjesë të gëzimit tuaj!-thotë-Nuk do ta harroj!. Do t’u tregoj miqve tanë kur të kthehem në Atdhe!”

Mbi New York po binte mbrëmja dhe ish koha për t’u ndarë. Fotot e fundit, përshëndetjet dhe premtimi për t’u takuar në gëzime të tjera.

New York, Nëntor 2023.