Prishtinë, 1 shkurt 2024 – Asociacioni i Gazetarëve dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës i bënë thirrje të enjten qeverisë që të heq dorë nga projektligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke ngritur shqetësimin se ndryshimet e paralajmëruara në të paraqesin sulm ndaj lirisë së medias.
Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha gjatë një konference shtypi se projektligji, i miratuar nga qeveria në fund të vitit të kaluar, që tashmë është dërguar në parlament, paraqet një përpjekje për të ushtruar kontroll ndaj medias online.
“Ndryshimet të cilat janë propozuar ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe si tendencë për t’i kontrolluar ato sepse parashihet që KPM-ja t’i kontrollojë, monitorojë dhe ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të videove”, tha zoti Rexha.
Flutura Kusari, juriste e medias tha se projektligji do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e rregullimit të medias online, duke kaluar nga sistemi aktual i vetrregullimit në një rregullim shtetëror që i detyron të gjitha mediat online të licencohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
“Mediat online të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licencimit, mediat online do të detyrohen të regjistrohen në regjistrin e mediave online i cili do të menaxhohet nga KPM-ja, mediat online do të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi dhjetë për qind, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40 mijë euro”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës deri në përgatitjen e këtij materiali nuk i është përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për të sqaruar qëndrimin e saj mbi këtë çështje. Por me 27 dhjetor, para votimit të projektligjit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë gjatë mbledhjes së qeverisë se ai do të sjellë reformë të nevojshme në fushën e medias.
“Për më tepër ky projektligj do të përcaktojë politikat e transmetimit dhe të ritransmetimit, mbikëqyrjen e përmbajtjes audiovizive të paraqitur në mediat online dhe në platformat për shpërndarjen e videove, duke vendosur standard të larta edhe në çështjen e sponsorimit, vendosjes së produktit, reklamimit në televizion e të komunikimeve komerciale”, kishte thënë kryeministri Kurti.
Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i këtij Këshilli, Imer Mushkolaj, tha se projektligji i ri dobëson këtë institucion, i cili është një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara me ndihmën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në vitin 2005.
“Sot në Kosovë ekzistojnë institucione e organizata, ekziston kornizë e mjaftueshme ligjore që të gjitha këto shqetësime të adresohen dhe ato adresohen vazhdimisht, qoftë në KPM, qoftë në Këshillin e Mediave të Shkruara dhe ne konsiderojmë se zgjidhja është pikërisht fuqizimi i këtyre institucioneve”, tha ai.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të tërheqë menjëherë projektligjin pasi sipas tij “asnjëherë nuk është zgjidhje licencimi i mediave online nga organet shtetërore”. Ai bëri thirrje që të punohet së bashku për të gjetur zgjidhje që janë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe të OSBE-së.
“Ju kujtoj se na u deshën tre vjet për të ndaluar zotin Edi Rama, në Shqipëri, për të miratuar ndryshime të ngjashme në ligjin e medias. Ne jemi të gatshëm të nisim të njëjtën luftë për të mbrojtur lirinë e mediave dhe pluralizmin mediatik në Kosovë”, shkroi në rrjetet sociale zoti Gutiérrez.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara kërkuan që të hapet një proces këshillimi me të gjitha palët e interesit, për të hartuar një projektligj të ri që përmbush edhe kërkesat e qeverisë edhe ato të sektorit të medias.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)