Shoqëria civile kërkon që Kosova të ftohet të marrë pjesë në Samitin për Demokraci

Prishtinë, 9 nëntor 2021 – Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci që organizohet më 9 e 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Kërkesa u është drejtuar Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil dhe Zëvendës-ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në letrën e organizatave të shoqërisë civile shprehet besimi se pjesëmarrja në samit do të ndihmonte në avancimin e demokracisë dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe do të fuqizonte përpjekjet për t’i mbajtur përgjegjëse institucionet shtetërore të vendit.

“Ne besojmë fuqishëm që pjesëmarrja e Kosovës në samit do të ndihmonte në avancimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shtetin tonë dhe do të fuqizonte përpjekjet tona për t’i mbajtur përgjegjëse institucionet. Prandaj, ne shpresojmë që Qeveria amerikane do të jetë e gatshme ta rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet mes tjerash në letrën e organizatave joqeveritare.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër. 

Letra e organizatave joqeveritare nga Kosova drejt autoriteteve amerikane.

Nënshkruese të letrës dërguar zyrtarëve të lartë amerikanë janë: Grupi i Ballkanit për Politika, Forumi i Ballkanit, Demokracia Plus, Demokracia për Zhvillim, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, Instituti GAP, Fondi për të Drejtën Humanitare, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL, Organizata Çohu, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Sbunker, Inciativ dhe Donika Emini, anëtare e Grupit Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Shoqëria civile në Kosovë nuk është e vetmja që ka kërkuar përfshirjen e Kosovës në samit.

Agjencia e lajmeve, Reuters, raportoi se edhe disa vende të tjera e kanë shprehur pakënaqësinë me listën e të ftuarve. Sipas një zyrtari tè lartë amerikan të cilit i referohet kjo agjenci, ftesat për pjesëmarrje  në samit u janë dërguar vendeve që kanë përvoja të ndryshme me demokracinë dhe nuk ka të bëjë me etiketimin e një shteti si demokratik ose jodemokratik.

(r.m.)