Tiranë, 24 prill 2023 – Në Shqipëri, shoqëria civile po kalon një një periudhë të vështirë sfidash konkrete të mbijetesës.
Ndërsa problemet sociale, që NGO-të trajtojnë sa vijnë e shtohen, mbështetja për këto organizata është në rënie dhe përherë e më e pamjaftueshme.
Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile po përpiqet të ndërtojë një dialog të strukturuar me autoritetet publike, si dhe një bashkëpunim të ngushtë për të rritur së bashku shërbimet sociale në vend.
Organizatat e shoqërisë civile u mblodhën sot në një takim kombëtar me synimin që të bashkërendojnë mes tyre përfshirjen në një dialog të hapur me autoritetet publike mbi nevojat që ato kanë sot.
Qendra Vatra ka mbi 23 vite që mbështet viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe të trafikimit, krahas Rrjetit për fuqizimin e grave, Rrjetit kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe Koalicionit të strehëzave anti-trafikim.
Drejtuesja e Vatrës, Brikena Puka, thotë se gjendja në këtë fushë është e rënduar dhe fondet janë të pamjaftueshme, ndaj duhet fuqizuar sistemi i mbrojtjes dhe i shërbimeve sociale për këtë grupim.
“Vajzat dhe gratë mbeten pre e vrasjeve, dhunës dhe trafikimit. Ky është një alarm për shoqërinë shqiptare. Së pari duhet fuqizuar sistemi i mbrojtjes në institucionet e drejtësisë. Policia, prokuroria dhe gjykata duhet të kenë në qendër mbrojtjen e viktimës dhe jo penalizimin e viktimës. Së dyti duhen fuqizuar shërbimet sociale. Duhen shtuar burimet financiare në nivel lokal për fuqizimin e sistemit të ruajtjes së viktimave”, thotë zonja Puka.
Ajo shtoi se qeveria duhet të mbështesë më shumë organizatat që punojnë drejtpërdrejt me viktimat e dhunës më bazë gjinore, të cilat janë rrjetëzuar në të gjithë vendin.
Marrëdhëniet mes shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Shqipëri pengohen shpesh nga mosbesimi i ndërsjelltë, por nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile, Vladimir Thano, thekson se ka ardhur koha që palët të dëgjojnë njëra tjetrën në dobi të qytetarëve në nevojë, që presin shërbime si nga administrate ashtu edhe nga shoqatat.
“Raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë ka cituar faktin që roli i Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile duhet të jetë më i fortë, dhe zëri i qytetarëve me anë të organizatave duhet të jetë më i fortë, sepse shoqëria shqiptare ka mundësi reale të zhvillohet dhe të ndryshojë. Ndaj ne e veçuam faktin që ne dëshirojmë të nxitim një dialog të strukturuar mes autoriteteve publike dhe përfaqësueve të shoqërisë civile”, shtoi zoti Thano.
Organizatat joqeveritare po përpiqen që të forcojnë zërin e aktivizmit të tyre, ndërsa kanë një seri mungesash në punën e tyre për të ndihmuar komunitetet në nevojë. Organizata Së Bashku për Jetën” ka 15 vjet që ndjek problematikat e sektorit të shëndetësisë dhe çështjeve sociale.
“Mendoj që zëri i popullatës, zëri i pacientëve dhe i çdo qytetari për këto problematika që ka sistemi ynë shëndetësor e social duhet të fuqizohet. Ne do të jemi një zë i fuqishëm i tyre në këtë Këshill, dhe dëshirojmë që kyKëshill të mos jetë fiktiv dhe fjala e tij të dëgjohet”, thotë drejtuesja e organizatës, Egla Bardhi.
Mungesa e mbështetjes për zgjerimin dhe fuqizimin e shoqërisë civile e tkurr debatin, aktivizmin, dhe vet shoqërinë civile, thotë Altin Hazizaj, drejtues i qendrës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, CRCA.
Ai thotë se qeveria e ka ulur mbështetjen për shoqërinë civile, dhe shprehu shqetësim për faktin se në shumë qytete të tjerë jashtë Tiranës mezi mbijetojnë një apo dy organizata, kur atje duhet të gëlojnë shoqatat për shkak të problemeve të shumta që kanë ato komunitete.
“Ka një mospërputhje mes fjalëve dhe realitetit. Me fjalë, në çdo konferencë dëgjohet se “ne mbështesim shoqërinë civile”, se “jemi bashkë me shoqërinë civile”, por realiteti I fakteve dhe veprave tregon se shteti jep shumë herë më pak financime, dhe ato financime shkojnë në grupime që janë të lidhura me qeverinë, madje kjo e fundit nuk pranon të ulet për dialog me organizatat joqeveritare”, thotë zoti Hazizaj.
Për shumë vite një pjesë e madhe organizatave joqeveritare janë mbështetur nga fondacione dhe donatorë të vendeve perëndimore, amerikane dhe europiane, ndërsa tani shoqëria civile me kapacitetet profesionale të saj mendon se edhe qeveria shqiptare duhet të luajë një rol kryesor për të ndërtuar së bashku shërbimet për komunitetet në nevojë.
“Shoqëria civile ka brenda vetes dy komponentë të fuqishëm: ka ekspertizën, me të cilën qeveria furnizohen herë pas here, ka edhe aktivizmin. Nismat që ne themi nuk mund të shkojnë përpara pa aktivizmin. Të dyja bashkë e bëjnë shoqërinë civile të fuqishme. Ne duam të kemi një rol më të fuqishëm, sepse ndjehemi të shpërfillur”, thotë Zana Vokopola, përfaqësuese e Institutit të Kërkimeve Urbane.
Institucionet europiane ka shumë vite që bëjnë të njëjtin koment për Shqipërinë, që shoqëria civile duhet të jetë më aktive, që qeveria duhet të përfshijë në vendimmarrje më shumë aktorë të shoqërisë civile.
Ekspertët pohojnë që ndonëse Shqipëria ka marrë nga Bashkimi Europian ligjet më të mira në këtë fushë, ato nuk zbatohen, dhe ndërsa politika mbizotëron rreptësisht jetën e vendit, hapësirat e shoqërisë civile për t’u përfaqësuar dhe për të ngritur zërin e qytetarëve jashtë politikës janë pakësuar në minimum.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)