Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” do të marrë pjesë në dy festivale foklorike ndërkombëtare që mbahen në Turqi. Trupa e saj do të prezantohet me kollazh vallesh nga krahina të ndryshme shqiptare.
RamadanMuçolli
Prishtinë, 27 qershor 2013 – Trupa e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, nga Prishtina, ka udhëtuar të enjten për në Turqi. Ajo do të marrë pjesë në dy festivale të rëndësishme. Prej 28 qershorit deri më 7 korrik, do të marrë pjesë në Festivalin e 14-të Ndërkombëtar të Kulturës dhe Artit në Byjykmexhe, në afrësi të Stambollit, ndërsa prej 7 deri më 13 korrik, do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Valleve Popullore në Bursa, i cili tashmë është festival i njohur ndërkombëtar, me traditë mbi 50 vjeçare.
Ismet Bogujevci, ushtrues i detyrës së drejtorit të ansamblit “Shota”, bëri të ditur se të dy festivalet kanë karakter garues dhe në to do të marrin pjesë ansamblet shtetërore apo shoqëritë artistike të 20 vendeve nga Evropa, Azia dhe Afrika. Sipas programit të festivaleve, ansamblet do të garojnë me kolazhe të valleve popullore, të cilat prezantojnë tiparet karakteristike të folklorit etraditës së vendeve apo rajoneve prej nga vijnë.
“Ansambli ynë do të prezantohet me një kollazh vallesh të krahinave të ndryshme shqiptare, të përgatitura nga koreografë të ndryshëm shqiptarë. Ato paraqesin një kollazh të diversitetit etnokulturor shqiptar”, tregoi Bogujevci për gazetën “Illyria”, pak para nisjes për në Turqi.
Ai tha se në këto festivale, përveç kollazhit të valleve, do të vlerësohen edhe përmbajtjet tjera të programeve, përfshirë lojën e orkestrit, kostumet, etj.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Shotës” tha gjithashtu se përveç për pjesën garuese të festivaleve, ansambli ka përgatitur një program të pasur me këngë, valle e lojëra popullore, i cili do të shfaqet për publikun e të dyja qyteteve, jashtë programit të festivaleve.
Po kështu, është përgatitur edhe për defiletë prezantuese të pjesëmarrësve të festivaleve, nëpër rrugët e qyteteve nikoqire, në të cilat prezantohen vlerat më të veçanta folklorike të vendeve apo të krahinave të tyre, si: këngët, vallet, lojërat, kostumet, instumentet popullore, etj.
Bogujevci shprehu kënaqësinë që ansambli “Shota” do të paraqitet në festivale me programe mjaft të larmishme, të cilat përfaqësojnë në mënyrë të denjë veçantitë e krahinave etnologjike, etnografike, etnomuzikologjike dhe etnokoreografike shqiptare.
Ansambli Kombatëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka marrë pjesë edhe një herë në festivalin e Bursës dhe është pritur shumë mirë nga publiku. Interes të veçantë për pikat e programit të tij kanë shfaqur studjuesit e fushave të ndryshme të kulturës popullore, si edhe shikuesit e shumtë të festivalit, midis të cilëve ka pasur edhe shtetas me origjinë nga krahinat e ndryshme shqiptare, të zhvendosur në Turqi në gjysmën e dytë të shekullit 20.