Prishtinë, 25maj 2021 – Inspektorati i Punës e ka aprovuar padinë e Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe ka shpallur të paligjshëm vendimin e drejtorit të përgjithshëm dhe të Bordit të RTK-së për zgjedhjen e drejtorit të shërbimeve të përbashkëta.
Sipas Inspektoratit të Punës, kandidatët të cilët i janë nënshtruar procesit të rekrutimit nuk i kanë plotësuar dy kriteret kryesore të konkursit: kualifikimin dhe përvojën e kërkuar.
“Ky proces ishte monitoruar nga kryetari i Sindikatës Fadil Hoxha dhe për këtë parregullsi Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) e kishte alarmuar me kohë Bordin e RTK-së dhe publikun e gjerë. Ky vendim i Inspektoriatit të Punës është një dëshmi më shumë rreth paligjshmërive në të cilat janë të përfshirë Bordi i RTK-së dhe Menaxhmenti i saj. SPRTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht t’i nisin procedurat për shkarkimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të hapet rruga për kthimin e normalitetit në Transmetuesin Publik. Sindikata e Pavarur e RTK-së si gjithëherë do të vazhdojë të denoncojë çdo veprimtari të paligjshme dhe në dëm të Transmetuesit Publik”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.
(r.m.)