Shkodër, 13 janar 2023 – Policia e Shkodrës njoftoi të premten se një sasi lënde shpërthyese është vendosur në banesën trekatëshe të shefit të seksionit për hetimin e krimeve në komisariatin e policisë së qytetit, Pëllumb Shpati.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, në dalje të qytetit të Shkodrës.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në banesë si dhe janë dëmtuar disa automjete, që gjendeshin të parkuara në oborr.
Familjarë të oficerit të policisë bënë të ditur se, në çastin e shpërthimit, në banesë gjendeshin 17 familjarë dhe se ngjarja dyshohet që ka lidhje me detyrën e shefit të seksionit për hetimin e krimeve.
Policia nuk detajon rreth pistave ku po hetohet mbi ngjarjen por, në një njoftim të sajin bëri të ditur se, nga veprimet e para hetimore, janë siguruar prova që pritet të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjatë vitit të kaluar dhe ditëve të para të këtij viti, në Shkodër janë regjistruar të paktën 4 shpërthime me tritol në banesat apo automjetet e efektivëve të policisë, por asnjëra prej këtyre ngjarjeve nuk është zbuluar.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)