Hataj (Turqi), 14 shkurt 2023 – Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njoftoi se të martën, në ditën e dhjetë pas tërmetit, ekipi i shpëtimtarëve të saj arriti ta shpëtojë një vajzë 3-vjeçare, e cila ishte bllokuar në rrënojat e ndërtesës së shembur në Hataj të Turqisë.
“Lajmi më i bukur që mundet me ardh sot në ditën e 10 pas termetit është shpëtimi i vogëlushes tre vjeçare nga pjesëtarët e Shoqatës”, thuhet në njoftimin e Shoqatës që shoqërohet edhe me një video nga operacioni i suksesshëm.
Të hënën, ekipi i Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, me ndihmën e ekipeve të kërkim-shpëtimit nga Turqia, arriti të nxjerrë të gjallë nga rrënojat një vajzë 26-vjeçare.
Ndërkaq, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri më tani kanë arritur t’i shpëtojnë katër persona që ishin bllokuar në rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti.
Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Kosova (ekipi i vullnetarëve dhe ekipet e forcave të specializuara të Fprcës së Sigurisë së Kosovës), me gjithsej 48 anëtarë, po operojnë në rajonet e Hatajt dhe Osmanijes.
(r.m.)