Tiranë, 12 shtator 2023 – Tenderët për shërbimin e dezinsektimit në zonat bregdetare në vend u kthyen në një mollë sherri këtë vit, duke e bërë të pamundur kryerjen e këtij shërbimi.
Për rrjedhojë, sado ironike të tingëllojë, Shqipëria turistike mes mijëra komenteve pozitive, kishte edhe nga ata që bënin humor me këtë situatë.
Turistët e huaj nuk kanë ngurruar që në forume ta cilësojnë praninë e mushkonjave problematike, ndërkohë që u referoheshin edhe përshtypjeve të vendasve që e cilësonin këtë vit me një gjendje të keqe si asnjëherë më parë.
Tashmë në fund të sezonit, ngërçi me tenderat ende nuk është zgjidhur.
Komisioni i Prokurimit Publik, i cili priti të paktën 7 ankesa për këtë procedurë me lote të ndryshme, ka konstatuar se ka pasur probleme me vlerësimin, të paktën te njëra prej tyre për të cilin ka mbaruar gjykimi.
Vendimi i fundit i publikuar nga Komisioni për kontratën “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku i Durrësit”, me fond limit 15.479.671 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datë 13.06.2023 kërkon anulim të vendimit që është marrë për fituesin e shpallur.
Në vendimin e KPP thuhet se ka vendosur të pranojë pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik “NRG” SHPK ndërkohë nuk ka pranuar ankesën e bashkimit të operatorëve ekonomikë ankimues “Egian Med” SHPK dhe “Vlera” SHPK.
Si efekt i kësaj është bërë edhe kërkesa pranë autoritetit konkraktor për të marrë masat e duhura.
“Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin e KVO-së për kualifikimin e operatorit ekonomik “Florfarma” SHPK, dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara si më sipër, duke e s’kualifikuar këtë operatorë ekonomik. Autoriteti kontraktor(Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara), brenda 5 ditëve, të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi duke dokumentuar veprimet e kryera” thuhet në vendim.
Ankesat që zvarritën procesin
Pranë Komisionit të Prokurimit Publik, vetëm në korrik u paraqitën të paktën shtatë ankesa që lidhen me vlerësimin që është bërë për procedurën e prokurimit. Pra operatorët kanë pretendime për mënyrën sesi është bërë vlerësimi i ofertave.
Kështu të ankimuara janë procedurat me objekt kontrate “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Lezhë”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Durrës”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Shkodër”, “Sherbim Dezinsektimi ne zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Vlore”.
Për disa prej këtyre procedurave ka më shumë se një ankesë duke çuar numrin në 7.
Kjo nuk është hera e parë që këto procedura përfundojnë të ankimuara në KPP. Më herët gjatë prillit u ankimuan të gjashtë lotet e kësaj procedure që përfshinin: “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Shkodër”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Lezhë, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Tiranë”, Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Durrës”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Fier”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Vlorë”.