Prishtinë, 6 shkurt 2023 – Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, shprehu shqetësimin të hënën për situatën e brishtë në veriun e vendit të banuar kryesisht nga pjesëtarët e pakicës serbe.
Situata mbetet e tensionuar në veri, pasi fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb.
“Mendoj se kjo ishte kriza më serioze me të cilën është përballur Kosova në veçanti veriu i saj për dhjetë vitet e fundit”, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, Lars-Gunnar Wigemark, shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.
Ai tha se situata mbetet e paqëndrueshme dhe paralajmëroi se kriza mund të përshkallëzohet lehtësisht.
Rreth 130 pjesëtarë të policisë së EULEX-it dhe rreth 160 policë shqiptarë po kujdesen për sigurinë në zonë, përfshirë edhe patrullimet më këmbë, pasi të gjithë përfaqësuesit etnikë serbë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në muajin nëntor.
Qeveria në Prishtinë ka thënë se nuk do të lejojë rikthimin në detyrë të oficerëve të policisë që kanë dhënë dorëheqjen dhe në vend të kësaj do të mbushë boshllëkun me pjesëtarë të policisë nga pjesë të tjera të vendit, derisa të punësohen oficerë të rinj nga pakica serbe.
Mosmarrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës kanë mbetur një burim paqëndrueshmërie në Ballkan edhe 24 vjet pas luftës që përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s.
Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë më mbështetjen e Shteteve të Bahkuara dhe vendeve kryesore evropiane, të cilën Beogradi i mbështetur nga Rusia dhe Kina refuzon ta njohë.
“Jemi të pakompromis në sundimin e rendit dhe ligjit, në mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, në jetën dhe pasurinë e qytetarëve në atë rajon. Për këto çështje nuk mund të ketë kompromis. Absolutisht nuk duam një konflikt të ri në Kosovë”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla, i cili akuzoi Serbinë dhe Rusinë se po përpiqen të destabilizojnë vendin nëpërmjet grupeve kriminale në veri.
NATO-ja ka ende rreth 3 mijë e 700 trupa në terren dhe ka bërë thirrje për ruajtjen e paqes duke paralajmëruar se do të ndërhyjë nëse rrezikohet siguria.
Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për një konflikt të mundshëm nëse Kosova dhe Serbia nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje afatgjatë të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
“Ne vetëm mund t’i inkurajojmë të dyja palët, si Beogradin dhe Prishtinën, që me të vërtetë të bëjnë maksimumin. Kjo është shumë e rëndësishme, mendoj, që të dyja palët nuk po e bëjnë këtë. Mendoj se si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është thelbësore të ecin drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha shefi i EULEX-it.
Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje që synon të zbusë tensionet e vazhdueshme.
Diplomatët perëndimorë u thanë të dyja palëve se duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë një plan ndërkombëtar për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.
(Zëri i Amerikës)