Tiranë, 6 korrik 2022 – Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) raportoi të mërkurën në Komisionin e Ligjeve për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe Komisionit Europian duke pranuar se gjetja e të zhdukurve gjatë regjimit komunist 45-vjeçar akoma mbetet pa një zgjidhje konkrete, për shkak të mosdakordësimit mes institucioneve ligj zbatuese.
Kryetarja në detyrë Gentiana Sula raportoi në emër të autoritetit, duke parashtruar problematikën që ka hasur ky proces. Ajo tha se mbetet në dorën e Kuvendit dhe të qeverisë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare ligjore ngërçit të krijuar mes institucioneve të përfshira.
“Ka një marrëveshje të qeverisë shqiptare me Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur, ICMP, e cila është ratifikuar nga Kuvendi. Në atë kohë institucioni ynë nuk kishte tagër për të zhdukurit, ky mund të jetë një ndryshim i ri dhe i freskët që ne na del nevoja që parlamenti të investohet”- tha ajo duke kërkuar që Autoriteti të përfshihet në projektligjin që rregullon këtë marrëveshje.
“Ne kërkuam bashkëpunim institucional që familjet të vijnë tek ne. Prokuroria ka pasur hezitimet e veta”, shtoi ajo dhe vuri në dijeni deputetët se është hartuar një draft VKM që e zgjidh këtë ngërç bashkëpunimi.
“Kemi bërë një draft, kemi parashikuar që të jetë institucioni ynë, nëpërmjet strukturës së re që u krijua për të zhdukurit”- u tha ajo deputetëve duke shtuar se për miratimin e tij “qeveria ka fjalën e fundit”.
Përveç hezitimit të prokurorisë për t’u përfshirë në proces, Sula pranoi se ka edhe një mosmarrëveshje me Ministrinë e Brendshme. “Ata mendojnë që mund të jenë ata që mund ta bëjnë këtë, por për ne nuk është e drejtë sepse ministria nuk ka një strukturë të veçantë që të presin familjarët”- shtoi ajo.
Sula u tha deputetëve se nëse ka një angazhim serioz zhvarrimet mund të kryhen pasi janë identifikuar nga Autoriteti disa nga vendet që janë përdorur nga regjimi për të zhdukur kundërshtarët politikë.
Drejtori për informimin pranë AIDSSH-së, Selami Zalli, e përkufizoi si një problem shumë të madh zhvarrimin e të zhdukurve.
“Janë bërë të gjithë procedurat, strukturat, por po nuk vendosëm kazmën të hapim një varr të gjitha të tjerat janë kot”- u tha ai deputetëve.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend Autoriteti i Dosjeve i referohet shqetësimeve të Komisionit Europian për këtë çështje, të shprehura në progres-raportin e fundit.
“Zyrat e prokurorëve dështuan të kryejnë ndonjë hetim “ex officio” (kryesisht), për raste të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist,” shkruhet në raport. “Vullnet politik nevojitet për të krijuar mekanizëm efikas bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse për të përforcuar ndërgjegjësimin e publikut mbi këtë çështje,” vëren Komisioni Europian.
Gjatë regjimit diktatorial nga vitit 1944-1991 llogaritet të jenë ekzekutuar me dhe pa gjyq si dhe kanë vdekur në burgje apo kampe internimi afro 6 mijë persona, sipas të dhënave të institucioneve shtetërore. Pas rënies së diktaturës, Shqipëria nuk ka bërë përpjekje serioze institucionale për kërkimin e tyre.
(Blerina Gjoka, Reporter.al)