Tiranë, 18 dhjetor 2021 – Në Shqipëri, Partia Demokratike e opozitës është vënë sot e gjitha në lëvizje për të marrë pjesë në dy veprimtari me qëllime të kundërta, të organizuara nga kryetari Lulzim Basha dhe nga ish kryetari Sali Berisha.
Zoti Basha ka thirrur sot Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA, së bashku me familjen.
Ndërsa zoti Berisha ka thirrur sot një referendum me përkrahësit e tij për të shkarkuar kryetarin Basha, si pjesë e një aksioni, që ai quan rithemelim të partisë, pas një tjetër Kuvendi të thirrur nga anëtarësia.
Përplasjet midis tyre janë bërë përditë e më të forta dhe ndarjet po bëhen përherë e më të pakthyeshme, nga koha kur SHBA e shpalli zotin Berisha non grata për korrupsion dhe kur zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar për këtë shkak.
Kryetari aktual Basha tha se e mori këtë vendim personal, sepse nuk do të lejojë që PD të votojë vendimet e SHBA-ve për luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të demokracisë.
Ish kryetari Berisha, e nisi reagimin e tij fillimisht “për të mbrojtur dinjitetin personal” dhe po e kulmon me një lëvizje “për rithemelimin e partisë”.
Diplomatët amerikanë janë shprehur se nuk takohen me persona non grata si Sali Berisha dhe nuk do të komunikojnë me PD-në, nëse ai kthehet aty.
Dy rrymat brenda partisë provokuan reagime të ndryshme në radhët e anëtarëve të thjeshtë, që u përfshinë në këto zhvillime pas tre mandatesh në opozitë dhe në periudhën më të pafavorshme pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.
(Zëri i Amerikës)
Pas Kuvendit të sotëm Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashen pastrohet dhe forcohet si asnjëherë më parë nga njerezit e inkriminuar ish-komunistë e ish-sigurimsa, që iu qepën për të devijuar misionin e saj. Kështu ajo do të kthehet në forcën politike më të shëndetshme të vendit, e cila shpejt ka për të marrë pushtetin për të realizuar misinin e saj si e formuluan studentët e dhjetorit 1990: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”…