Besimtarët myslimanë festojnë sot Fiter Bajramin në Shqipëri, një nga ngjarjet më të rëndësishme të fesë së tyre.
Ata u mblodhën herët në mëngjes në sheshin Skënderbej për të uruar njëri tjetrin pas një muaj sakrificash të Ramazanit, për të ndjekur ritualet e rastit dhe mesazhet e drejtuesve fetarë.
Mijëra besimtarë myslimanë u bashkuan për të marrë pjesë në faljen e Namazit dhe për të dëgjuar porositë drejtuesve fetarë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi besimtarët për festën dhe bëri thirrje për të ndihmuar më të dobëtit, dhe për t’u kujdesur ndaj vendit dhe pasurisë publike.
“Gëzoni fëmijët me dhurata këto ditë. Ndihmoni nevojtarët. Lehtësoni mundimet të sëmurëve dhe vzitojini ata. Tregoni mëshirë e kujdes ndaj prindërve, ashtu si ata kanë treguar ndaj jush teksa ju rritën. Punoni me ndershmëri ndaj vendit. Mos prekni pasurinë publike. Mos çoni në shtëpitë tuaja të ardhura të paligjshme. Mos prekni dinjitetin, nderin dhe shtëpinë e tjetrit. Këto janë parime fetare, parime universale” – tha udhëheqësi i Komunitetit Mysliman.
Kryetari Spahiu bëri thirrje besimtarëve që tu përkushtohen veprimtarive të bamirësisë, duke qëndruar përherë në anën e paqes kundër luftës, në anën e dashurisë kundër urrejtes.
“Secili duhet të zbulojë dhe nxjerrë prej vetes vlerat më të larta njerëzore. Ramazani ishte një mundësi për të nxjerrë këto vlera. Të përkushtohemi më shumë ndaj prindërve, të moshuarve, të gjendemi pranë jetimëve, të japim dorën njerëzve me nevoja të veç, të përkujdesemi dhe të tregojmë mëshirë ndaj tyre. Besimtarët të përpiqen që me veprimtari të ndrysjme bamirësie të plotësojnë nevojat e të varfërve dhe jetimëve që edhe ata të gëzojnë këtë ditë të bukur” – tha zoti Spahiu.
Shqipëria është e mirënjohur për tolerancën dhe bashkëjetesën e shumë besimeve fetare në shekuj, ndër komunitete myslimane, të krishtera e bektashinj u shërbejnë besimtarëve të tyre në harmoni dhe pa asnjë incident të motivuar prej përkatësive të ndryshme të kultit. (VOA)