Shqipëri: Gjykata ndalon publikimin e dosjes për shtatë grupet e krimit të organizuar

Tiranë, 20 maj 2024 – Gjykata e Posaçme njoftoi të hënën më 20 maj një vendimarrje për ndalimin e publikimit të kërkesës së SPAK për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj 50 personave të dyshuar si anëtarë të shtatë organizatave kriminale, apo dhe të përmbajtjes së kësaj kërkese deri në përfundimin e hetimeve. Gjithashtu, gjykata disponoi dhe me ndalimin tërësisht të publikimit të vendimarrjes së saj për caktimin e këtyre masave.

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të shtunën të dhënat e një operacioni kundër krimit të organizuar, ku nga hetimet janë vënë në akuzë 50 persona, vrasës me pagesë të përfshirë në atentate për kontroll territori, oficerë policie të angazhuar në struktura kriminale, një ish-deputet i shpallur në kërkim dhe figura të njohura më herët për angazhime politike. Nga sa bëri me dije SPAK, shtatë grupe të ndryshme kriminale të përfshira në armiqësi apo në aleanca me njëra-tjetrën dhe që kishin baza aktiviteti në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen, u goditën falë informacioneve të siguruara prej autoriteteve franceze nga aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat, dy aplikacione celularësh që besohej se ofronin komunikim të sigurt dhe që ishin popullore për figurat e krimit të organizuar.

Koordinatorja për të drejtën e informimit në SPAK, Suela Çollaku sqaroi për BIRN se edhe kjo prokurori i kishte kërkuar gjykatës respektive ndalimin e publikimit të të dhënave të kësaj çështjeje hetimore.

“Duke qenë se mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale përbën vepër penale sipas nenit 295/a paragrafi 3 i Kodit Penal nën titullin ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë gazetarëve që nuk mund të jepet një informacion më i detajuar nga ana e gjykatës lidhur me këtë çështje”, citohet në njoftimin e gjykatës.

I pyetur lidhur me motivet e kësaj vendimarrje, kryetari dhe njëkohësisht gjyqtari për mediet i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Erjon Bani shpjegoi se në rast se gjyqtari i çështjes konstaton se ka ndalim publikimi pasi cënohen hetimet, atëherë vlerëson për të disponuar me vendim edhe për këtë rrethanë. Sipas tij, në një rast të tillë, edhe palëve që u jepen kërkesa e prokurorisë dhe vendimarrja e gjykatës, nënshkruajnë procesverbal lidhur me ruajtjen dhe mospublikimin e tyre.

Ai shtoi, se gjykata e dha një njoftim të tillë pas kërkesave të disa gazetarëve që pyesnin përse nuk po shpërndahej vendimarrja e përmbledhur, ashtu si për çështje të tjera. Bani nënvizoi se pasi gjyqtari i çështjes ka vlerësuar ndalimin e publikimit të të dhënave, nuk mund të jepej njoftim për këtë çështje si në rastet e tjera kur nuk ka një ndalim të tillë.

(Reporter.al)