Shqipëri:  HEC-et e pavarura prodhuan më shumë se 1/4 e energjisë së KESH-it

Tiranë, 7 shtator 2023 – Prodhuesit e pavarur të energjisë, projekte që edhe pse janë me kontrata koncesioni nuk kanë detyrimin e shitjes së energjie tek shteti kanë prodhuar në pjesën e parë të vitit rreth 700 mijë MWh energji.

Kjo sasi është sa ¼ e energjisë që kaskada më e madhe në vend, ajo e Drinit që menaxhohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare prodhoi në të njëjtën periudhë.

Vetë KESH prodhoi 2.8 milionë MWh. Situata e mirë hidrike në përgjithësi krijoi një panoramë pozitive të prodhimit të energjisë gjatë këtij viti teksa shifrat tregojnë se edhe pesha e HEC-ve që shesin në tregun e lirë është jo e vogël.

Konkretisht prodhuesi më i madh i pavarur është Devoll Hydropower që ka dy hidrocentrale mbi lumin Devoll, Banjën dhe Moglicën ka prodhuar 265 mijë MWh apo rreth 40 për qind të totalit të energjisë që ka ardhur nga ky grup.

Afërsisht 30 për qind e kësaj energjie ka ardhur nga investimi i Ayen Enerji në lumin Fan ku nga HEC-i Peshqesh dhe Fangu është prodhuar një sasi mbi 200 mijë MWh në 6 mujorin e parë të vitit.

HEC Qami një investim i Lajthiza Invest që ka hyrë në prodhim së fundmi ka prodhuar një sasi prej 2.5 mijë MWh dhe bën pjesë tek HEC-et me kapacitet deri në 2 MW të cilët viteve të fundit kanë qenë të shumtë në dhënie autorizimesh.

Pesha e fotovolatikëve të pavarur në tregun e energjisë ashtu si fotovoltaikët në tërësi mbetet ende e vogël duke shënuar një prodhim prej 9 mijë MWh energji në 6 muajt e parë të vitit.

Në totalin e prodhuesve të mëdhenj dhe të pavarur të energjisë përqendruar kryesisht në investimet në kaskadën e Devollit dhe Fanit nuk është përfshirë Ashta. Ky projekt klasifikohet sipas shifrave zyrtare tek prodhuesit e pavarur të energjisë në një kontratë me OSHEE.

Nga Ashta u prodhuan 155 mijë MWh energji në 6 muajt e parë të vitit duke e rritur edhe më tej peshën e prodhuesve të pavarur të energjisë që operojnë në vend.

Hidrocentrali i Ashtës është i ndarë në dy pjesë: energjia elektrike prodhohet fillimisht në Ashta I, ku tre dekada më parë është ndërtuar rezervuari i Spatharës dhe sistemi i vogël i vaditjes për sektorin bujqësor.

Energjia elektrike prodhohet në një shkallë të dytë të HEC, saktësisht tek Ashta 2 – e cila ndodhet 5 km pas bjefit të poshtëm të Ashta 1. Dy godinat e HEC lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet një kanali derivacioni. Kapaciteti i plotë i të dy HEC-eve (Ashta 1 & Ashta 2) është 53 MW.

Të kombinuar tre investimet më të mëdha në “hidro” ku bëjnë pjesë Devolli, Ayen dhe Ashta kanë një vlerë prej 1 miliardë euro.

(Monitor)