Shqipëri: Pezullohen 30 policë që rezultuan përdorues droge, shumica për kokainë

Tiranë, 7 dhjetor 2021 – Mbi 30 efektivë policie kanë rezultuar pozitivë në testin e drogës, nga rreth 1000 që e kanë kryer deri tani.

Burime jozyrtare i thanë Euronews Albania se pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar konsumues të kokainës. Nisur nga këto rezultate në disa drejtori vendore kanë nisur pezullimet e para për punonjësit e policisë që rezultuan pozitiv.

Efektivët e parë të ekzaminuar deri tani janë përzgjedhur nga SHÇBA si dhe drejtuesit e tyre në bazë të dyshimeve e informacioneve paraprake. Disa prej policëve që rezultuan pozitivë kanë kundërshtuar përgjigjen e testimit, duke mohuar të jenë përdorues si dhe paralajmëruar padi në gjykatë. Për këto raste dhe çdo kundërshti tjetër të këtij procesi, efektivëve u lind e drejta e ritestimit.

Euronews Albania kontaktoi dhe me drejtuesit e laboratorit privat ku kryhet testi i drogës të cilët refuzuan të përgjigjen lidhur me mënyrën dhe kushtet mbi të cilat ekzaminohen punonjësit e policisë. Në fazën e parë të këtij procesi, testimit do t’i nënshtrohen efektivët me grada të ulëta policore. Pas tyre në fazën e dytë këtë proces do e kalojnë edhe drejtuesit më të lartë të uniformave blu.

(Euronews.al)