Shqipëri: Qeveria i jep tri autostrada me koncesion, pa garë

Tiranë, 31 dhjetor 2024 – Këshilli i Ministrave miratoi tre vendime për lidhjen e kontratave koncesionare që përfshijnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tre segmenteve rrugore për një periudhë 35-vjeçare.

Vendimi i parë lidhet me segmentin rrugor Kashar-Pezë-Lekaj, kontrata e të cilit iu dha pa garë një grupi operatorësh, përfshirë kompaninë “Gjoka Konstruksion”, e cila më herët ka qenë përfituese e koncesionit për ndërtimin e rrugës së Arbrit, një projekt i shoqëruar me kosto të rritura dhe me shtyrje afatesh.

Segmenti i dytë, Lekaj-Konjat-Fier iu dha një grupi tjetër operatorësh, përfshirë “Fusha” dhe “Albavia”, me qëllim përmirësimin e rrjetit rrugor dhe forcimin e lidhjeve infrastrukturore të jugut të vendit.

Ndërsa segmenti i tretë, Milot-Thumanë u miratua për një tjetër grup kompanish, përfshirë “Gener 2” dhe “Illyrian Consulting Engineers”.

Këto projekte janë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe synojnë rritjen e standardeve rrugore dhe zhvillimin ekonomik.

Pavarësisht objektivave të deklaruara nga qeveria, këto kontrata koncesionare pa garë kanë ngritur shqetësime për transparencën dhe ndikimin në buxhetin e shtetit. Institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë kritikuar procedurat e pa garë dhe kostot e larta të projekteve të ngjashme, duke vënë në pikëpyetje efikasitetin dhe përfitimet e këtyre iniciativave.

(Reporter.al)

Comment

*